Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka organizuar dhe realizuar një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendrortë Punës, me qëllim të sigurimit të respektimit të standardeve ligjore, mbrojtjen e konsumatorëve, garantimin e konkurrencës së ndershme në treg, si dhe verifikimin e përmbushjes së obligimeve ligjore nga ana e subjekteve ekonomike.
Sipas njoftimit gjatë këtij aksioni janë inspektuar gjithsej 69 subjekte ekonomike, ku fokusi kryesor ka qenë mbikëqyrja më e gjerë e subjekteve ekonomike, që ushtrojnë veprimtaritë e tyre, e që lidhen me fushën e hotelerisë dhe turizmit, respektivisht objekt i inspektimeve të përbashkëta kanë qenë kryesisht subjektet ekonomike, që ushtrojnë veprimtari të vilave dhe moteleve.
Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave ligjore kanë bërë mbyllje të përkohshme të 26 subjekteve ekonomike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike.
Ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, inspektorët e tregut kanë shqiptuar 27 masa ndëshkuese.



