Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji ka uruar Krishtlindjes, duke thënë bërë thirrje që të bëhen lutje për paqë, gëzim e forcë.
Ai gjithashtu u shpreh se janë Kërshëndellat e 25-ta që po i festojmë në liri dhe tha se sivjet, sikur asnjëherë tjetër, nëpër gjitha sheshet e qyteteve dhe oborret e famullive, besimtarët dhe bashkëqytetarët tanë janë duke festuar, “po gëzojnë e po kënaqën me njëritjetrin”.
“Fjala e Mishëruar-Krishti, është shpresa jonë që na mban të fort e të lumtur gjatë përballimit të vështirësive të botës, na forcon në vuajtjet tona dhe iu jep kuptim sakrificave që bëjmë përditë, kurse Shpirti i Tij i shenjtë na mëson të duam, të besojmë dhe shpresojmë. Ai është frymëzimi ynë që na bën t’i mbetemi besnikë Fjalës. Forca jonë që na bën të qëndrueshëm në fe dhe gëzimi i shpresës që na mëson të shpresojmë në amshim”.
“Me Krishtin, Hyji ka kryer projektin e tij për shpëtimin tonë, përvujtënisht ka manifestuar dashurinë e tij në ne, dhe ka shfaq mbi ne mëshirën e vet. Nëpër Krishtin e ka shpall Ungjillin, Lajmin e Mirë të shpëtimit; na ka ftuar në kthim dhe pajtim me Hyjin Atë dhe ata që kanë pranuar Atësinë e Tij, i ka bërë bijë për amshim. Në Krishtin e ka manifestuar gjithë madhështinë dhe lavdinë e Tij, duke e ngjallur nga të vdekurit. Me ngjalljen e tij të gjithë ne jemi bërë pjesë e Lavdisë Hyjnore. Prandaj, ndonëse akoma shtegtojmë mbi tokë, të jetojmë hyjnisht duke i kultivuar dhe përdorur frytet e shpirtit, që janë: “dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria.” (Gal 5,22-23)”, thuhet në mesazhin e tij.
Ai tha gjithashtu se ushtrimi i fesë me dhe brenda bashkësisë së të pagëzuarve nëpërmjet siç u shpreh ai, “uratës, shërbesës së sakramenteve dhe shërbimit me dashuri, na mundëson të jetojmë realitetin e sotëm”.
“Ne të pagëzuarit besojmë, dëshmojmë dhe shpallim Krishtin shpëtimtar, pasi jemi “…trupi i Krishtit dhe secili prej nesh gjymtyrë e Tij” (1 Kor 12,27) . Duam të jemi burim paqeje dhe gurrë dashurie për të gjithë, sikur lutej Shën Françesku, e pastaj edhe Shën Nënë Tereza: “O Zot më bëjë vegël të paqes sate, ashtu që ku ka urrejtje të sjell dashuri, ku ka fyerje, të sjell falje; ku ka përçarje, të sjell unitet; ku ka dyshim, të sjell besim, ku ka dëshpërim, të sjell shpresë; ku ka errësirë, të sjell dritë; ku ka trishtim, të sjell gëzim.”
“Në këtë lutje përmblidhet tërë feja dhe misioni i të pagëzuarave, këndej dëshirojmë ta duam çdo njeri e çdo krijesë me zemrën e Krishtit, mu ashtu siç Ai na deshi ne (Khs. Gjon 15,12). Por, e gjithë kjo nuk mund të kuptohet pa fe. Pasi, s’ka shkencë që mund t’i vërtetojë, nuk kultivohen me asnjë lloj ndërhyrje gjenetike, nuk mund t’i njohë e as t’i lexojë algoritmi më i përkryer i inteligjencës artificiale. Pastaj, ato nuk mund të blihen me pasuri materiale, të ruhen me rite religjioze, ose të mbrohen me mjete juridike. Këto dhunti mund t’i ketë, t’i ndjejë, t’i sheh e t’i njeh vetëm një zemër e shëruar me mëshirë, një mendje e ndriçuar me fe dhe një njeri i shpëtuar prej Zotit dashuri”.
“Ushtrimi i fesë me dhe brenda bashkësisë së të pagëzuarve nëpërmjet uratës, shërbesës së sakramenteve dhe shërbimit me dashuri, na mundëson të jetojmë realitetin e sotëm, duke e bâ të tashme t’kaluemen e të qyshtashme atë që shpresojmë. Kjo do të thotë se në ne shprehet, përjetohet dhe shpresohet dashuria e Zotit, njëkohësisht dhe vazhdimisht. Kështu na mundësohet të shohim rrugën që përshkuan të parët tanë, të ndriçojmë shtigjet nga duhet të kalojmë, duke krijuar njëkohësisht shtegun e udhëtimit për gjeneratat e reja. Për këtë arsye, “përqendroni të gjitha forcat tuaja që t’ia shtoni fesë virtytin, virtytit dijen, dijes përkormërinë, përkormërisë qëndresën, qëndresës përshpirtërinë, përshpirtërisë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë që përfshin gjithkënd.” (2 Pjt 1, 5-7)”.
“Vëllezër dhe motra, si gjithmonë, as në këto Krishtlindje, nuk do të mungojnë lutjet e mija për ju. Njëkohësisht ftoj që gjithë së bashku t’i lutemi Zotit të na mbush me paqe, gëzim dhe forcë, që si pasues të Krishtit, ta mbushim misionin tonë dhe të shpallim dashurinë e Tij në çdo kohë e në çdo vend. Qofshin të gjitha lutjet dhe veprat tona të mbushura me hirin e Hyjit dhe udhëzimin e Shpirtit Shenjt. Gëzuar Krishtlindjet. Zoti ju bekoftë të gjithëve”, thuhet tutje në mesazhin e Ipeshkvi Gjergjit.