2025/12/13
Banner Top
Ish-anëtari i bordit të KOSTT-it publikon dokumentin, godet Rizvanollin për nënstacionin në Malishevë: Gënjeshtra nuk është politikë shtetërore

Ish-anëtari i Bordit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Nebih Zariqi, ka publikuar të dhëna dhe ka akuzuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, se nuk po e thotë të vërtetën lidhur me nënstacionin në Malishevë.

Në një postim publik, Zariqi ka vlerësuar se deklaratat e fundit të ministres përbëjnë, siç i quan ai, “keqinformim të hapur” dhe janë në kundërshtim me fakte të verifikueshme. Sipas tij, projekti për ndërtimin e nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV për Malishevën ka qenë i planifikuar që në vitet 2017–2018, por realizimi i tij është vonuar për shkak të vendimeve dhe zhvillimeve institucionale në vitet pasuese.

Zariqi thekson se nga viti 2018 deri në vitin 2020, KOSTT ka funksionuar pa Bord Drejtues, çka, sipas tij, ka ndikuar drejtpërdrejt në ngecjen e investimeve kapitale. Ai shton se në vitin 2020, KOSTT kishte rreth 72 milionë euro fitim të mbajtur, mjete që, sipas tij, ishin të domosdoshme për investime kapitale në infrastrukturën energjetike.

“Sapo u zgjodh Bordi i Drejtorëve në vitin 2020, u miratua edhe plani i investimeve kapitale, ku ishte e parapar Malisheva, si dhe Klina dhe disa pika tjera kritike në sistem,” shkruan Zariqi, duke theksuar se këto projekte nuk u realizuan për shkak se fondet u përdorën për mbulimin e energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Sipas tij, ky orientim i mjeteve financiare e ka pamundësuar KOSTT-in të realizojë projektet e planifikuara dhe ka ndikuar që operatori i transmisionit të mbetet më i prapambetur në periudhën 2021–2025 se në çdo periudhë tjetër më parë.

Në postimin e tij, Zariqi i drejtohet drejtpërdrejt ministres Rizvanolli, duke e akuzuar se, duke qenë e njohur me rrjedhën e këtyre proceseve, po del publikisht pa e paraqitur realitetin e plotë. Ai thekson se “kjo histori duhet të tregohet ashtu siç është, pa manipulim të të dhënave”.

Zariqi ka bërë të ditur se postimit i ka bashkangjitur edhe planin e biznesit të KOSTT-it, ku, sipas tij, dëshmohet se nënstacioni i Malishevës ka qenë i planifikuar më herët, si dhe deklaratat publike të ministres, të cilat ai i cilëson si të paplota dhe jo të sakta.

 

 

Banner Content

0 Comments

Leave a Comment