2026/03/02
Banner Top
Kajtazi: Ideja për reparacione nga Shqipëria, përçarëse dhe pa bazë juridike

Autori Fadil Kajtazi ka reaguar ndaj idesë së hedhur nga analisti Nexhmedin Spahiu për kërkimin e reparacioneve nga Shqipëria për viktimat kosovare të Luftës së Dytë Botërore.

Sipas Kajtazit, kjo nismë është “një kombinim agjenturor, i ngjashëm me Gjykatën Speciale”, duke shtuar se pas Luftës së Dytë Botërore reparacionet janë paguar nga blloku humbës nazifashist, ndërsa Shqipëria ka qenë pjesë e kampit fitues.

Ai thekson gjithashtu se në atë periudhë Kosova nuk ka qenë subjekt i së drejtës ndërkombëtare, ndërsa për masakrën e Tivarit, sipas tij, “dokumentet vërtetojnë se e ka organizuar OZNA”.

Kajtazi e cilëson të gjithë këtë përpjekje si një nismë që mund të thellojë ndasitë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

 

Ja postimi i plotë:

Ideja e Nexhmedin Spahiut për reparacione nga Shqipëria për viktimat kosovare gjatë Luftës së Dytë Botërore sigurisht që ka lindur gjatë takimit të Nexhit me Gjuriqin, me stërnipin e Pashiqit, ideatorin dhe realizuesin e gjenocidit ndaj shqiptarëve në Luftërat Ballkanike.

Se kjo ide është një kombinim agjenturor, i ngjashëm me Gjykatën Speciale, nuk ka kurrfarë dyshimi.

Së pari, në Luftën e Dytë Botërore reparacionet i ka paguar blloku që ka humbur luftën (nazifashist). Shqipëria ishte pjesë e bllokut fitues.

Së dyti, Kosova në atë kohë nuk ishte subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

Pavarësisht propagandës së pseudoshkencës, dokumentet vërtetojnë se masakrën e Tivarit e ka organizuar OZNA. Kalimi nëpër Shqipëri i viktimave fatkeqe ishte bërë në emër të forcave partizane, të mobilizuara për ndjekjen e njësive gjermane. Në Kongresin themelues të PK të Serbisë më 1945, delegati nga Kosova, Xhavit Limani, e aktualizoi këtë temë duke e adresuar te kryerësit e vërtetë.

E gjithë përpjekja Nexhi–Gjuriq është një komplot për thellimin e ndasive mes Kosovës dhe Shqipërisë, eventualisht për një padi në një gjykatë ndërkombëtare, ngjashëm me ate e Dik Martit, Serbisë dhe Rusisë.

 

 

Banner Content