2026/02/18
Banner Top
Konjufca: Çështjen e gjykimit të drejtuesve të UÇK-së e kam ngritur në çdo takim me ndërkombëtarë, shpresojmë që verdikti të përputhet me historinë

Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca tha se shteti ka bërë “atë që e ka obligim” për mbështetjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga Haga, ku shkoi për ta ndjekur ditën e fundit të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ai tha se lufta ishte e pastër dhe e drejtë.

“Ne secili bëjmë atë që e kemi obligim, dhe i gjithë shteti mendoj që ka qenë në funksion të kësaj të vërtetë që unë po e them për luftën e UÇK-së. Nuk kishte ndërmarrje kriminale në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është e vërteta dhe kjo e vërtetë ka me dalë në këtë gjykatë. Nuk ka në zemër të UÇK-së ndërmarrje kriminale. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri e drejtë, e krijuar drejtpërdrejt prej popullit të Kosovës”, tha ai.

Këtë çështje, Konjufca tha se e ka ngritur në çdo takim me ndërkombëtarët.

“Në çdo takim ndërkombëtar që edhe vetë e kam pasur, ua kam thënë këtë sa herë që është ngritur kjo temë, dhe kjo do të kurorëzohet me lirimin e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kthimin e tyre në Kosovë”.

“Ne shpresojmë shumë që verdikti të jetë në përputhje me historinë dhe lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Banner Content