Autor: Hafiz Gagica
Kosova mes kërcënimit të jashtëm dhe përçarjes së brendshme
Në kohë sfidash rajonale, ngërçi politik dhe polarizimi i brendshëm dobësojnë vetë shtetin.
Kosova gjendet sërish përballë një ngërçi politik, në një moment kur rrethanat rajonale dhe ndërkombëtare do të kërkonin më shumë maturi, përgjegjësi dhe kohezion institucional. Në vend që energjia politike të përqendrohet në trajtimin e sfidave strategjike të shtetit dhe në ndërtimin e një konsensusi minimal për çështjet themelore, hapësira publike vazhdon të dominohet nga përplasjet e përditshme, akuzat e ndërsjella dhe një gjuhë gjithnjë e më e ashpër politike.
Në periudha pasigurie ndërkombëtare, shtetet e vogla zakonisht përpiqen të forcojnë unitetin e tyre të brendshëm dhe të kultivojnë një kulturë politike të matur, të orientuar drejt interesit të përbashkët. Historia politike e shumë vendeve dëshmon se sa më të ndërlikuara të bëhen rrethanat gjeopolitike, aq më e madhe bëhet nevoja për stabilitet institucional dhe për një dialog politik të përgjegjshëm.
Megjithatë, në realitetin aktual të Kosovës shpesh vërehet një prirje e kundërt. Ndërkohë që në rajon vazhdojnë të shfaqen tensione dhe herë pas here artikulohet një retorikë kërcënuese nga kryeqyteti i fqinjit verior, debati politik dhe shoqëror brenda vendit vazhdon të mbetet i përqendruar në konfliktet e brendshme. Rrjetet sociale, të cilat në parim mund të shërbenin si hapësira për shkëmbim idesh dhe argumentesh, janë shndërruar shpesh në arena polemikash ku kundërshtari politik trajtohet jo si rival në një sistem demokratik, por si kundërshtar që duhet delegjitimuar.
Kur komunikimi politik reduktohet në etiketime dhe fyerje, debati për ide zbehet dhe kultura e dialogut dobësohet. Një demokraci funksionale mbështetet mbi pluralizmin e mendimeve, konkurrencën politike dhe respektin institucional për kundërshtarin. Por kur çdo kritikë interpretohet si armiqësi dhe çdo mendim ndryshe stigmatizohet si tradhti, hapësira për një dialog racional dhe konstruktiv fillon të ngushtohet.
Pasojat e kësaj klime nuk mbeten vetëm në nivelin e retorikës politike. Ato reflektohen në funksionimin e institucioneve dhe në perceptimin publik ndaj politikës në përgjithësi. Ngërçi politik përsëritet, stabiliteti institucional vihet në sprovë, ndërsa çështjet strategjike të shtetit, forcimi i institucioneve, zhvillimi ekonomik dhe konsolidimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës, rrezikojnë të mbeten në plan të dytë.
Kjo krijon një paradoks të dukshëm në jetën politike të vendit: ndërsa sfidat që vijnë nga jashtë kërkojnë qartësi strategjike dhe maturi politike, brenda vendit shpesh mbizotëron një klimë tensioni dhe polarizimi që e dobëson vetë kapacitetin e shtetit për të vepruar me koherencë. Një klimë e tillë jo vetëm që minon besimin e qytetarëve në institucionet demokratike, por mund të ndikojë edhe në mënyrën se si Kosova perceptohet nga partnerët dhe aleatët e saj ndërkombëtarë.
Historia e Kosovës ka dëshmuar se në momentet më të vështira shoqëria ka ditur të gjejë një sens të përbashkët të qëllimit. Pikërisht ky sens ka qenë një nga faktorët vendimtarë që ka bërë të mundur kapërcimin e sfidave të mëdha në rrugën drejt shtetësisë.
Sot sfida nuk është vetëm politike, por edhe kulturore. Ajo lidhet me rikthimin e një etike të dialogut publik dhe me rivendosjen e një parimi themelor të demokracisë: kundërshtari politik nuk është armiku i shtetit.
Sepse shtetet e vogla rrallë dobësohen vetëm nga presioni i jashtëm.
Shpesh ato dobësohen kur brenda tyre zbehet sensi i maturisë politike dhe i interesit të përbashkët.



