Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka takuar në Washington drejtorin për Ballkanin dhe Europën Qëndrore të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adi Muzurovic, me të cilin ndër të tjera kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, raporton Gazeta10.
Krasniqi ka thënë se ata kanë ndarë shqetësimet e përbashkëta si dhe janë dakorduar për koordinimin e plotë mes Kosovës dhe SHBA-së.
Më tej, Krasniqi ka thënë se ai i ka shprehur qëndrimin e PDK-së për koordinimin dhe bashkëpunimin me aleatët.
Këtu keni postimin e plotë:
“Gjatë vizitës zyrtare në Washington DC, zhvillova një takim të rëndësishëm me Adi Muzurovic, drejtorin për Ballkanin dhe Evropën Qëndrore të Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC).
Bashkë diskutuam për situatën aktuale dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë tek zhvillimet e fundit në Kosovë, me ç’rast ndamë shqetësimet e përbashkëta dhe u dakorduam për nevojën e koordinimit të plotë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
Meqë sfidat e sotme kërkojnë një kuptim të ri dhe më të gjerë të sigurisë kombëtare, drejtorit të NSC i shpreha qëndrimin tim dhe të PDK-së se koordinimi dhe bashkëpunimi me partnerët tanë ka qenë dhe vazhdon të mbetet jetik për popullin e Kosovës.
Nuk ka liri, zhvillim e as integrim pa siguri, gjë të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar për më shumë se dy dekada Kosovës.
Mbi këtë akt të një partneriteti të besueshëm dhe themelor, ne mbesim thellësisht të përkushtuar që ta ruajmë e ta fuqizojmë këtë raport strategjik edhe në të ardhmen”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.