Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka reaguar ashpër pas paralajmërimit të anëtares së KQZ-së, Müferra Şinik, se mund të dorëhiqet për shkak të presioneve politike.
Sipas Kryeziut, ky zhvillim përbën një sinjal alarmues për ambientin toksik dhe kërcënues që po mbizotëron në organizimin e zgjedhjeve, duke pasqyruar njëkohësisht klimën e rëndë të polarizimit politik në vend.
Ai ka vënë në dukje se ky është një rast unik dhe shqetësues në historinë e institucionit.
Reagimi:
Paralajmërimi i znj. Müferra Şinik, anëtare e KQZ-së, se mund të japë dorëheqje për shkak të presionit, është sinjal alarmues për ambientin toksik dhe kërcënues nëpër të cilin po kalon organizimi i zgjedhjeve në KQZ. Ky zhvillim nuk flet vetëm për problemet e brendshme të KQZ-së, por pasqyron edhe klimën e polarizuar politike në të cilën po funksionon ky institucion kushtetues.
Që nga themelimi i KQZ-së, është hera e parë që një anëtare deklaron publikisht se nuk po arrin ta ushtrojë mandatin e saj në mënyrë të përgjegjshme, si rezultat i presioneve politike. Ky paralajmërim duhet të shërbejë si alarm serioz për institucionet shtetërore të sigurisë, por edhe për vetë partitë politike, të cilat – përmes përfaqësuesve të tyre – po kontribuojnë në krijimin e një ambienti të pasigurt rreth procesit zgjedhor.
Nëse ky trend nuk ndalet, rrezikohet jo vetëm integriteti i KQZ-së, por vetë besueshmëria e procesit të zgjedhjeve.



