Shkruan Shyqyri Haxha
Kur shtetin e qeverisin “fëmijët”, ambasadorët bëhen kujdestarë- Ambasadorët e QUINT-it në Qeveri
Është bërë pothuajse një vit e gjysmë që politika kosovare sillet si një klasë fëmijësh në pushimin e madh: zhurmë, grindje, ego dhe asnjë përgjegjësi. Kur ‘lodrat’ nuk ndahen dot mes tyre, në fund duhet të vijë dikush më i madh për t’i ndarë.
Këtë herë, “mësuesit kujdestarë” janë ambasadorët e QUINT-it.
Ironia është e hidhur. Një shtet që u fitua me gjak, sakrificë dhe me epopenë e familjes Jashari si simbol të lirisë, sot gjendet në një situatë ku përfaqësuesit e tij politikë duhet të mbahen për dore nga ndërkombëtarët për të bërë atë që është minimumi i përgjegjësisë shtetërore: funksionimin normal të institucioneve.
Ndërsa qytetarët përballen me probleme reale, klasa politike është e zënë me “luftëra” për karrige. Jo për shtetin, jo për zhvillimin, por për interesa personale. Një garë e pafund për pozita, ku interesi personal dhe ai grupor del mbi interesin e shtetit të Kosovës.
Dhe kështu, paradoksi bëhet i plotë: ata që u betuan se do ta forcojnë shtetin, sot rrezikojnë ta kthejnë prapa për interesa të vogla politike.
Kjo është kur kafshata e pushtetit është shumë e madhe për ta gëlltitur, dhe në fund ju mbetet në fyt.



