2026/03/11
Banner Top
“Kur tradhtarët bëhen heronj e patriotët harrohen”

Autor: Fadil Kajtazi

 

TRADHTARET – PATRIOTET

Me të vetmen gjë me të cilën nuk jam pajtuar me shkrimtarin tim te admiruar, Ismail Kadare, eshte relativizimi që ai i bën tradhtisë së Moisi Golemi ne poezinë që ia kushton atij. Kadare, me mjeshtëri poetike, e demolon figurën e tradhtarit, por aktit te tradhtisë nuk i jep dënimin e merituar; e lë në nivelin e ndëshkimit nga ndërgjegjja. Por tradhtarët, zakonisht, nuk kanë ndërgjegje.
Ndoshta shkrimtari e ka bërë këtë me vetëdije, sepse ne historinë tonë tradhtia shpesh është trajtuar si diçka e zakonshme. Për pese shekuj iu nënshtruam Perandorisë Osmane dhe njëkohësisht u mburrëm me vezirët “shqiptarë” që, me urdhër te Sulltanit, shpesh ngrinin dorë mbi vetë popullin shqiptar.

Ne këtë histori te rënduar nga tradhtia, një moment i rrallë i drejtësisë historike ishte pushka e Avni Rustemi, i cili në Paris vrau Esad Pashën, mikun e përbetuar te serbëve dhe te armiqve te përbetuar të shqiptarëve. Ky i fundit i ndihmoi serbët të shpëtonin nga shfarosja ne dhjetor të vitit 1915: mbretin, qeverinë dhe ushtrinë që po iknin nëpër trojet shqiptare nga ushtria e Austro-Hungaria. Ishin vetëm dy vite që ushtria serbe kishte kryer gjenocid mbi shqiptarët gjatë Luftërat Ballkanike dhe Esadi i ndihmonte të shpëtonin nga malësorët, acari dhe nga uria.

Ironikisht, Avni Rustemi nuk u bë figurë e madhe e letërsisë sonë, përveç në traditën gojore.

Gjithashtu tragjik është fakti se serbët, në shenjë hakmarrjeje që Avniu ua kishte vrarë një mik të çmuar, e vranë në mes të Tiranës, përmes Ahmet Zogut, të cilin Miroslav Krleža e cilësonte si “protegé-në” e qeverisë së Nikola Pašić. Sipas Noel Malcolm, Zogu, për shkak të obligimeve që kishte marrë nga Pashiqi për ta zhdukur “Lëvizjen Kosovare”, vrau themeltarë të shtetit shqiptar: Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe e la të vdiste nga uria Shote Galica.

Nga kultura jonë e tradhtisë, e cila nën ndikimin e politikanëve tradhtarë është bërë kulturë edhe e disa shkencëtarëve – historianëve, kemi ardhur në pikën ku nuk i dallojmë më atdhetarët nga tradhtarët: madhërojmë vezirët “shqiptarë” që nuk bënë asgjë për shqiptarët, përveçse me urdhër të Sulltanit i masakronin ata, dhe e quajmë pushtimin osman çlirim. Jemi vënë në dilemë se kush janë tradhtarët: Zogu, miku i Pashiqit, me shtatore gjigante në mes të Tiranës, apo Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hoxhe Kadri Prishtina e Shote Galica me buste të vogla nëpër qoshet e trojeve shqiptare!?…

Një ndarje masive e shqiptarëve nga tradhtia, përmes ndikimit të “ndërgjegjes”, ndodhi në vitin 1990, kur shqiptarët e Kosovës në mënyrë masive e refuzuan armikun e tyre të përbetuar, Serbinë. Një numër i vogël i shqiptarëve mbeti peng i tradhtive të vjetra, kurse një numër tjetër, gjatë procesit deri në vitin 1999, pranoi të bëhej vegël e armikut. Kjo kategori, në mënyra të ndryshme, i ndihmoi Serbisë që nga viti 1990 e deri më 1997 të ushtrojë një represion të paparë mbi shqiptarët dhe, gjatë viteve 1998–1999, të kryejë gjenocid mbi shqiptarët, ku mes tjerash u dhunuan rreth 20.000 gra dhe u vranë 1.392 fëmijë.

Fatkeqësisht, nga kultura jonë për të mos i ndëshkuar tradhtarët, ashtu siç bëjnë popujt e botës, pas luftës kategoria e tradhtarëve u shumua dhe iu vërsul partive politike, u akomodua në to duke treguar kush është tradhtar e kush është patriot. Pastaj, si zog kërceu nga njëra në tjetrën parti me synim që të kapin majat e pushtetit, duke i mënjanuar, stigmatizuar dhe lënë të vuajnë për bukën e gojës ata që dhanë shumë që ky vend të jetë i lirë.

Ai që është tradhtar, i tillë do të mbetet; nga çdo rehabilitim prite vetëm një ndëshkim, sepse zanati i tij është tradhtia.
Vetëm popujt primitivë nuk i ndëshkojnë tradhtarët.

Banner Content