Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për takimin që pati sot në mëngjes kryeministri në detyrë Albin Kurti me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, përmes një komunikate për media.
Aty thuhet se në takimin e parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kurti ia “theksoi” Sorensenit rezultati zgjedhor ka prodhuar “një legjitimitet të ri demokratik”, për të cilin tha se garanton “parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional, duke forcuar më tej funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Kurti këtu foli edhe për legjitimitetin e udhëheqësisë në Serbi.
“Ky legjitimitet i lartë, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog. Sa i përket palës tjetër në dialog, Kryeministri vlerësoi se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lidershipin në Serbi”.
Po ashtu, ZKM tha se në takim, Kurti i ka përmendur sërish kërkesat e tij që ka për bllokun për vazhdimin e dialogut.
“Kryeministri shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel, duke theksuar rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimit të kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara. Ai nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme”.
Për këto kërkesa të Kosovës për dorëzimin e të dyshuarve të sulmit terrorist në Banjkë si kusht për rifillim të dialogut, Sorensen u pyet pak më herët nga gazetarët gjatë një deklarimi të shkurtë për media.
Ai tha se kur Përfaqësuesja e Lartë ta thërrasë takimin në një kohë të duhur, “njerëzit do të vijnë”.



