Kuvendi i Kosovës ka miratuar Planin e Rritjes me 104 vota për, asnjë kundër dhe 5 abstenime.
Këtë marrëveshje ndëkombëtare mes Kosovës dhe Bashkimit Europian e përkrahën të gjitha partitë, përveç Listës Srpska që abstenoi.
Projektligjin e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati, në foltoren e Kuvendit.
“Kosova do të përfitojë 882.6 milionë euro, i cili mund të them se është alokimi më i lartë në raport me bruto produktin vendor nga të gjitha shtetet, pa është rreth 8% e bruto produktit vendor që i është alokuar Kosovës. Kjo mbështetje financiare vjen në formën 1/3 si grant, ndërsa pjesa tjetër në formë të kredisë. Në këtë aspekt janë dy marrëveshje në kuadër të Planit të Rritjes dhe më pas në një pikë tjetër do të kemi edhe ratifikimin e kredisë”.
Kosova ka mbetur e fundit në rajon në miratimin e Planit të Rritjes dhe fondet e saj kishin mbetur të bllokuara për shkak të mungesës së gjatë të institucioneve të Kosovës.
Plani i Rritjes, që mbulon periudhën 2024-2027, përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh, e miratuar nga BE-ja në fund të vitit 2023, për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet europiane./Express/



