Lara Colturi e kremtoi 19-vjetorin e saj në mënyrën më mbresëlënëse të mundshme, duke dhuruar një paraqitje të jashtëzakonshme në Kupën e Botës. Skiatorja me origjinë italiane, që prej disa sezonesh përfaqëson Shqipërinë, shkëlqeu në garën e Slalomit të zhvilluar në pistën e Levi-t, në Finlandë, ku u ngjit në podium me një rezultat të shkëlqyer.
E reja 19-vjeçare realizoi dy zbritje shumë të forta, duke përfunduar e treta në manovrën e dytë dhe duke siguruar në total kohën 1:50.58. Ky rezultat e renditi atë të dytën në klasifikimin përfundimtar të garës, duke u pozicionuar menjëherë pas yllit amerikan Mikaela Shiffrin, e cila ishte 1.66 sekonda më e shpejtë dhe i shtoi koleksionit të saj fitoren e 102-të në Kupën e Botës.

Falë këtij suksesi, Colturi fitoi 80 pikë të rëndësishme dhe e çoi në 116 pikë totalin e saj pas dy garave të para të sezonit. Aktualisht ajo mban vendin e tretë në renditjen e përgjithshme, duke u pozicionuar vetëm pas dy emrave të mëdhenj të disiplinës, Shiffrin dhe Paula Moltzan.
Një nisje sezoni e jashtëzakonshme për Laren, që po tregon se është gati të konkurrojë mes më të mirave të botës.



