Nga Sherif Hasani – Suedi
Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon momentin më kritik në historinë e saj. Humbjet e njëpasnjëshme – në zgjedhjet nacionale dhe tani në ato lokale – tregojnë se modeli aktual i udhëheqjes nuk po e përmbush pritjen e qytetarëve. Partia që dikur mishëronte vizionin e shtetformimit dhe urtësisë rugoviane, sot përballet me krizë identiteti, mungesë vizioni dhe dobësim organizativ.
Nuk mjafton të flitet për reformë kur mungon guximi për përballje – me pushtetin aktual, por edhe me problemet e brendshme. Nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, LDK-ja ka tentuar të projektojë modernitet, por rezultatet flasin vetë: partia ka mbetur e treta në nivel nacional dhe po humb edhe komunat që i kishte nën qeverisje. Kjo tregon jo vetëm dështim elektoral, por krizë të thellë të besimit.
Gabimi më i madh ka qenë përjashtimi i shumë figurave me peshë, që përbënin bazën e fuqisë dhe unitetit të LDK-së. Largimi i tyre – shpesh për të plotësuar dëshirat politike të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes – ka qenë gabim strategjik që e ka dobësuar partinë në përfaqësim dhe moral. LDK-ja nuk mund të reformohet duke përjashtuar, por vetëm duke përfshirë.
Është koha për rikthimin e figurave që i kanë dhënë identitet dhe dinjitet partisë – si Naser Rugova, Frashër Demaj, Faton Bislimi, Valon Murtezaj, Agim Veliu, Arban Abrashi, Fahredin Spahiu, Hafiz Gagica (Gjermani), Elmi Berisha dhe Agim Rexhaj (SHBA), Fahredin Shehu, Veton Vula, Anton Kola – emra që përfaqësojnë jo vetëm përvojë dhe profesionalizëm, por edhe lidhjen e LDK-së me bazën e saj në rajone dhe në mërgatë. Rikthimi i tyre nuk është nostalgji, por domosdoshmëri për ringritje dhe bashkim.
LDK-së i duhet një lidership i ri, i aftë të bashkojë e të frymëzojë, jo të përçajë. Një udhëheqje që e sheh pluralizmin e mendimit si pasuri, që hap dyert për energjinë e re dhe që rikthen besimin e qytetarëve tek kjo parti. Reforma e vërtetë nuk është ndërrim emrash në lista, por ndryshim kulturor – nga mbyllja në hapje, nga arsyetimi në veprim.
Një mësim i rëndësishëm mund të merret sot edhe nga PDK-ja, ku kryetari Memli Krasniqi dha dorëheqje pas rezultateve zgjedhore, duke marrë përgjegjësi politike për humbjet. Ky është shembull i pjekurisë demokratike që mungon në LDK. Abdixhiku dhe udhëheqja e tij duhet të reflektojnë njësoj – jo për t’u dorëzuar, por për të hapur rrugë reformës së vërtetë dhe ringjalljes së partisë.
Vetëvendosje ka dominuar sepse ofron qartësi dhe energji. Për ta sfiduar realisht Albin Kurtin, LDK-së i duhet strategji, guxim politik dhe unitet i brendshëm. Pa këto, çdo garë tjetër do të jetë përsëritje e së njëjtës histori humbjeje.
Nëse LDK-ja ka guxim të pranojë dështimet, të rinovohet me sinqeritet dhe të bashkojë sërish njerëzit që i dhanë frymë, ajo ende mund ta rifitojë rolin e saj historik – si forca e arsyes, e qetësisë dhe e drejtimit perëndimor.
(Sherif Hasani është aktivist i LDK-së, jeton dhe vepron në Suedi)



