Komuna e Drenasit po përjeton vërshime të mëdha nga mëngjesi i sotëm, ku niveli i ujit është rritur vazhdimisht, duke përfshirë dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike.
Si pasojë, qarkullimi në disa rrugë është ndërprerë, përfshirë aksin drejt Komoranit, te trafoja dhe te ura e Bucollëve, ndërsa vështirësi po raportohen edhe te ura e Shtrubullovës.
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, thotë se dalja në magjistrale po bëhet përmes rrugëve alternative.
Sipas tij, qindra hektarë tokë janë të vërshuara dhe rryma është ndërprerë për shkak të rrezikut tej trafoja kryesore të komunës.
“Priten gjithashtu vështirësi në furnizimin me ujë”.
Lladrovci bëri thirrje për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve dhe u kërkoi të respektojnë ndalesat e vendosura nga organet kompetente për qarkullim në rrugët e bllokuara.
“Mbesim të angazhuar për të menaxhuar situatën dhe për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve, theksoi kryetari Lladrovci.



