Amazon Web Services (AWS), gjigandi që konsiderohet si “shtylla kurrizore e internetit”, ka pësuar një ndërprerje të madhe që goditi mijëra biznese dhe preku miliona përdorues në mbarë botën.
Situata u përshkrua më së miri nga kreu i kompanisë rivale të teknologjisë Cloudflare, i cili – ndoshta i lehtësuar – vuri re se problemi i sotëm nuk kishte të bënte fare me kompaninë e tij, raporton BBC.
Ndër platformat e prekura ishin shërbime të njohura si Snapchat dhe Reddit, banka si Lloyds dhe Halifax, si dhe lojëra të njohura si Roblox dhe Fortnite.
AWS ofron infrastrukturën bazë për rreth një të tretën e internetit, duke siguruar ruajtje të dhënash, menaxhim të bazave të të dhënave dhe fuqi llogaritëse. Kjo i lejon kompanitë të shmangin mirëmbajtjen e sistemeve të tyre të shtrenjta, ndërsa drejtojnë trafikun në platformat e tyre.
Mesazhi kryesor i AWS për klientët ka qenë gjithmonë i qartë: “Na lejoni ne të kujdesemi për nevojat kompjuterike të biznesit tuaj.”
Megjithatë, këtë herë problemi kishte një shkak të zakonshëm – një gabim në Sistemin e Emrave të Domaineve (DNS).
Ekspertët e teknologjisë e përshkruajnë këtë situatë me një frazë tashmë të njohur në industrinë digjitale:
“Është gjithmonë DNS!”
DNS funksionon si një hartë e internetit. Kur një përdorues klikon në një aplikacion apo lidhje, pajisja dërgon një kërkesë për t’u lidhur me adresën përkatëse. Në këtë rast, AWS – në kuptimin figurativ – “e kishte humbur hartën”. Kështu, shërbime si Snapchat dhe Canva ekzistonin ende, por sistemi nuk dinte si ta drejtonte trafikun drejt tyre.
Ekspertët theksojnë se ndërprerje të tilla mund të ndodhin për arsye të ndryshme – nga problemet e mirëmbajtjes, dështimet e serverëve apo edhe gabimet njerëzore, siç është konfigurimi i pasaktë i sistemit. Në raste ekstreme, ato mund të shkaktohen nga sulme kibernetike, megjithëse në këtë rast nuk ka prova për një gjë të tillë.
AWS konfirmoi se incidenti ndodhi në qendrën e saj të të dhënave në Virxhinian Veriore, e cila është gjithashtu më e madhja dhe më e vjetra që zotëron kompania.
Shumë ekspertë të teknologjisë e shohin këtë si një shembull të rreziqeve që lindin kur miliona kompani mbështeten te një ofrues i vetëm shërbimesh.
Aktualisht, AWS përballet me konkurrencë vetëm nga dy gjigantë të tjerë amerikanë – Azure i Microsoft dhe Cloud Platform i Google – ndërsa rivalët më të vegjël përfshijnë IBM dhe Alibaba të Kinës.
Vitin e kaluar, kompania mëmë e supermarketit Lidl lansoi një konkurrent evropian të quajtur Stackit, në përpjekje për të krijuar një alternativë kontinentale ndaj dominimit amerikan.
Kjo situatë ka rihapur debatin në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë mbi nevojën për të ndërtuar infrastrukturë të pavarur digjitale, për të zvogëluar varësinë nga shërbimet cloud të SHBA-së – megjithëse disa ekspertë besojnë se mund të jetë tashmë tepër vonë për ta bërë këtë.