2026/04/12
Banner Top
Mimoza Ahmeti dhe kriza e vëmendjes kulturore

Prania e Mimoza Ahmetit në një reality show gjatë këtyre ditëve nuk është thjesht një moment mediatik, por një pasqyrë e dhimbshme e realitetit kulturor në të cilin jetojmë. Guximi i saj për t’u futur në një hapësirë të tillë është për t’u vlerësuar—ajo nuk e humbi identitetin e saj artistik, përkundrazi, solli një frymë tjetër, një mendim ndryshe, një thellësi që rrallë shihet në formate të tilla.

Por reagimi i publikut ishte edhe më domethënës: shumë u habitën kur e panë dhe e dëgjuan. Dhe kjo habi nuk është rastësi është pasojë e një boshllëku të madh kulturor që është krijuar ndër vite.

Ky boshllëk vjen nga mungesa e angazhimit institucional prej vitesh. Televizionet dhe institucionet shtetërore kulturore nuk kanë arritur të krijojnë platforma të qëndrueshme dhe projekte afatgjata ku artistët e mirëfilltë të jenë të pranishëm në mënyrë të vazhdueshme. Nuk ka programe që edukojnë publikun me art cilësor, që zhvillojnë shijen estetike dhe mendimin kritik. Përkundrazi, hapësira publike dominohet nga formate të lehta, të shpejta dhe shpesh sipërfaqësore.

Në këtë realitet, artistët e vërtetë mbeten në periferi. Ata nuk mungojnë ata krijojnë, punojnë, ndërtojnë vepra me vlerë, por e bëjnë këtë kryesisht me iniciativa personale, pa mbështetje të mjaftueshme, pa një strategji kombëtare që t’i vendosë në qendër të jetës kulturore.

Dhe paradoksi bëhet i dhimbshëm: një artiste me peshë si Mimoza Ahmeti bëhet “e dukshme” për publikun e gjerë vetëm kur hyn në një reality show, një hapësirë që shpesh promovon të kundërtën e asaj që përfaqëson arti i saj. Aty, në mesin e zhurmës dhe spektaklit, ajo papritur bëhet e “re”—jo sepse nuk ka ekzistuar më parë, por sepse publiku nuk është edukuar ta njohë.

Kjo situatë ngre një pyetje thelbësore: çfarë roli ka shteti në ndërtimin e jetës kulturore?

Një shtet që synon zhvillim të qëndrueshëm duhet të investojë në kulturë jo si dekor, por si themel te një strategjie të mirëfilltë kulturore. Sukese Mozes! 🍀

Banner Content