2026/02/06
Banner Top
Miratohet buxheti i Prishtinës për vitin 2026

Plotësuar (11:50) Kuvendi Komunal i Prishtinës i ka dhënë dritë jeshile projekt-buxhetit të kryeqytetit për vitin 2026. 33 asamblistë votuan për, 8 kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.

 

Lëvizja Vetëvendosje paraprakisht u deklarua se nuk do ta votonte buxhetin, derisa subjektet e tjera politike i dhanë mbështetje buxhetit.

Komuna e Prishtinës në vitin 2026 do të ketë buxhet prej mbi 151 milionë euro.

Seanca për buxhetin e Prishtinës, LDK e PDK e mbështesin, VV jo

Kuvendi Komunal i Prishtinës përmes një seance të jashtëzakonshme po trajton propozim-buxhetin e kryeqytetit për vitin 2026.

Ky dokument u prezantua nga drejtoresha e Drejtorisë së Financave, Valbona Ahmeti-Makolli që tha se i njëjti u ndërtua mbi parime të transparencës, përgjegjësisë fiskale, e që, sipas saj, është i orientuar në nevojat reale të qytetarëve.

Tha se buxheti është i ndarë në pesë kategori ekonomike, ndërsa tregoi disa nga projektet që do të vazhdojnë e të tjera që do të përfundojnë brenda këtij viti fiskal.

“Projektet më të mëdha që do të vazhdohen apo përmbyllen në këtë vit fiskal janë projekti i sheshit ‘Xhorxh Bushit’, Rruga A, projekti i nënkalimit ‘Agim Ramadani’, Unaza e Brendshme, Ishulli Urban,  ndërtimi i thertores së kryeqyteti e të tjera”, përmendi ajo disa nga projektet.

Mbështetje ky dokument mori nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Jeta Rafuna tha se ky buxhet nuk është vetëm buxhet shpenzimesh operative, por një instrument zhvillimi që synon përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.

“Sot po diskutojmë për buxhetin e kryeqytetit, një dokument me rëndësi të veçantë që reflekton projektet zhvillimore. Dua ta theksoj qartë se ne e përkrahim buxhetin e kryeqytetit në tërësi, sepse ai adreson nevojat bazike të qytetarëve e siguron funksionimin normal të shërbimeve komunale”, tha Rafuna.

Mbështetje buxheti i kryeqytetit për vitin 2026 mori edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

Leutrim Retkoceri tha se grupi i asamblistëve të PDK-së është i përkushtuar të kontribuojë në zhbllokimin e çfarëdo situate që mund të rrezikojë miratimin e buxhetit dhe funksionimin normal të kryeqytetit.

“Jemi para një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e kryeqytetit, i cili nuk është vetëm një dokument financiar, por një garanci për shërbimet, pagesat dhe stabilitetin e Prishtinës. Ky buxhet vjen në rrethana të vështira si pasojë e sfidave të vitit 2025, megjithatë ky Kuvend ka legjitimitetin e përgjegjësinë ta rindërtojë besimin e qytetarëve dhe të sigurojë një planifikim të mirë për të ardhmen e kryeqytetit”, tha ai.

Por, votë për buxhetin e vitit 2026 për Prishtinën nuk do të ketë Lëvizja Vetëvendosje. Gëzim Sveçla shprehu indinjatën e tij pse ky dokument po trajtohet në seancë të jashtëzakonshme, derisa pati kritika edhe për PDK-në.

Ai e quajti papërgjegjësi dhe të papranueshme mungesën e kryetarit Përparim Rama në seancë.

“Duhet treguar se bashkë me PDK-në gjatë vitit të kaluar shumë seanca të buxhetit i kemi dështuar për shkak të mungesës së kryetarit Rama. Kryetari Rama sot nuk është këtu, rrethanat nuk kanë ndryshuar, por ka ndryshuar PDK-ja”, tha ai.

Sveçla tha se, rritja e buxhetit për 18 për qind krahasuar me vitin paraprak është produkt i rritjes së buxhetit të shtetit, dhe sipas tij, jo meritë e qeverisjes lokale.

“Ky buxhet nuk e zgjidh problemin e mbeturinave, nuk pakëson kolonat në trafik, nuk e rregullon trafikun, nuk ndërton infrastrukturë funksionale, nuk e rritë cilësinë e shërbimeve dhe nuk e bën më të lehtë jetën e qytetarëve. Ky buxhet i shërben Përparim Ramës dhe rrethit të njerëzve të tij, i shërben PDK-së më shumë se sa LDK-së”, tha Sveçla.

Ndërkohë, mbështetje buxheti ka marrë edhe nga Nisma Socialdemokrate dhe Lidhja për Prishtinën.

Banner Content

0 Comments

Leave a Comment