2026/02/27
Banner Top
Ndalohet hyrja në Kosovë e mbi 21 mijë kilogramëve koncentrat për pije me afat të skaduar

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar importin e 21,280 kilogramëve koncentrat për pije pasi është konstatuar se produktit i kishte skaduar afati.

Sipas njoftimit, sasia e ndaluar përfshin koncentrat lëng portokalli – 65 përzierje aseptike konvencionale – i cili ishte eksportuar nga kompania ProdalimBV me seli në Rotterdam të Holandës dhe ishte destinuar për tregun e Kosovës nga kompania “Laberion” SH.P.K. me adresë në Podujevë.

Pas kontrollit të dokumentacionit dhe inspektimit fizik, autoritetet kanë konstatuar se koncentrati për pije kishte afat të skaduar, për çka është marrë vendim për ndalimin e hyrjes së tij në Republikën e Kosovës.

“Pas kontrollit të dokumentacionit dhe inspektimit fizik të mallit… është konstatuar se koncentrati për pije kishte afat të skaduar dhe, si pasojë, është ndaluar hyrja e tij në Republikën e Kosovës”- thuhet në njoftim.

AUV ka bërë të ditur se vendimi është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për sigurinë ushqimore, sipas të cilit produktet me afat të skaduar paraqesin rrezikshmëri të lartë për konsumatorët dhe nuk lejohen të hyjnë në territorin e vendit.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes AUV, ka theksuar se mbetet e përkushtuar në monitorimin e zinxhirit ushqimor, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Kosovë.

Banner Content