Organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias – European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF), International Press Institute (IPI), European Federation of Journalists (EFJ), Reporters Without Borders (Reporterët pa Kufij), Index on Censorship (Indeksi mbi Censurën) dhe OBCT, kanë shprehur shqetësim për nivelin e pamjaftueshëm të financimit të RTK-sw dhe u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të përmbushin detyrimet ligjore sa i përket buxhetit të transmetuesit publik.
Sipas komunikatës, Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar aktualisht buxhetin e RTK-së, i cili parashihet të miratohet në dy lexime më 19 dhe 20 shkurt 2026. Projektligji për Buxhetin e vitit 2026 parasheh që, me propozim të qeverisë, parlamenti të ndajë 8.9 milionë euro – një shumë që mbulon vetëm nevojat bazike operative, si pagat e stafit.
Organizatat theksojnë se një mungesë buxhetore e kësaj përmase do ta cenonte rëndë pavarësinë e transmetuesit publik dhe aftësinë e tij për të përmbushur misionin informues në shërbim të qytetarëve. Sipas tyre, sigurimi i buxhetit që i takon ligjërisht RTK-së do të garantonte funksionim të pavarur nga ndërhyrjet e qeverisë dhe Kuvendit, si dhe do të mundësonte investime dhe zhvillim të mëtejshëm të transmetuesit publik.
Në prag të vendimit përfundimtar mbi buxhetin, organizatat i kanë bërë thirrje Kryeministrit dhe njëherësh kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të sigurojnë një financim të mjaftueshëm dhe të drejtë për transmetuesin publik, në përputhje me ligjin, duke shmangur çdo formë presioni politik përmes kufizimeve buxhetore.



