Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se çdo përpjekje për barazim të luftës së UÇK-së me agresionin e ushtruar nga Serbia e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.
“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë. Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, ka shkruar ajo në facebook.
Osmani më tej tha se gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.
“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”, tha ajo.
Kryeprokurorja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Kimberly West ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë paraqitjes së fjalëve përfundimtare në seancën e sotme.
“ZPS-ja kërkon vendim dënimin për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi unik prej 45 viteve mbështetur në kontributet individuale të krimeve, të kryera apo të bëra prej secilit prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ”, tha ajo në kërkesën e saj.



