Pak përpara se të vdiste, Frojdi 83 vjeçar jetonte në Vjenë. Ishin kohë të vështira të ishe hebre, i rëndësishëm dhe në Vjenë aso kohe. Terrori nazist kishte mbërritur.
Një trashëgimtare e Napoleon Bonapartit dhe dishepulle e psikanalistit, bën të mundur largimin e tij për në Londër.
Atje, Frojdi takon mërgimtarin tjetër hebre, mikun e tij dhe shkrimtarin e njohur Stefan Cvajg.
Në shtratin e vdekjes Frojdi të mahnit me qartësinë e mendimit. E quan epërsinë e Kulturës ndaj Instinkteve një broçkull. Njeriu do t’i bindet instinkteve të tij shkatërruese ndaj edhe nuk ishte habitur aspak nga shpërthimi i barbarisë naziste. Triumfi kulturor dhe moral është vetëm një çast i shkurtër mes luftrash shkatërrimtare. Ndërsa instinkti shtazor është konstantja. Teksti më poshtë:
***
Gjatë orëve që pata kaluar me Frojdin kishim folur shpesh për tmerrin e botës hitleriane dhe për luftën. Si qenie humane tronditej thellë, por si mendimtar nuk habitej aspak nga ai shpërthim i llahtarshëm shtazërie. Më tha njëherë se e kishin quajtur gjithnjë pesimist, meqë nuk pranonte epërsinë e KULTURËS ndaj INSTINKTEVE, dhe shtoi se tani -sigurisht, me këtë gjë nuk donte të krenohej- të gjithë e shikonin se po vërtetohej në mënyrën më të tmerrshme mendimi i tij që BARBARIA, INSTIKTI ELEMENTAR I SHKATËRRIMIT, NUK MUND TË ÇRRËNJOSET NGA SHPIRTI NJERËZOR.
Mbase në shekujt e ardhshëm, sipas tij, do të gjendet ndonjë mjet për t’i ndrydhur këto instinkte së paku në jetën e përbashkët të kombeve,por në jetën e përditshme dhe në botën e mardhënieve intime ato do të vazhdojnë të ekzistojnë si forca që s’mund të zhduken dhe ndoshta të domosdoshme për të ruajtur njëfarë tensioni.



