Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
PRITJET DHE ËNDRRAT E PARTIVE PËR 12 TETOR ! Ngricë rreth kutive të votimit : Interesimi i qytetarëve për të votuar në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 është jashtë pritjeve dhe parashikimeve . Sigurisht se sabotimi i pozitës në nivel qendror për formimin e institucioneve si dhe gjumi i thellë i opozitës kanë ndikuar që atmosfera para zgjedhjeve të ngjajë më shumë të një vizite për kryeshëndosh se përmbushje e detyrimit qytetar dhe ligjor për të votuar . Fushatat ishin monotone , pa gjallëri sepse po përtypen gjërat dhe premtimet që , as nuk janë realizuar e as që mund të realizohen . Po të mos ishte dyshi Mehmetaj – Lladrovci do ia krisnim gjumit këto netë të ftohta dhe të mërzitshme . Do ta veçoja fushatën e Besa Shahinit dhe Natyra Kuçit , Arian Tahirit , Përparim Ramës dhe Uran Ismailit. Madje Urani , gjatë kësaj fushate , çdo të hëne e shpërndante një ” gazetë ” 4 faqëshe ku ishte oferta e tij dhe e PDK – së për qytetarët e kryeqytetit .
Shukri Buja ishe shumë aktiv gjatë fushatës . Shaqir Totaj i zgjua nga kllapia e vapës së verës të tejngrohtë. Debatet televizive nuk i dëgjoj fare , konsideroj se është humbje kohe ; ose shikoj ndonjë dokumentar , ndonjë ndeshje futbolli ose lexoj diçka. E përcolla pjesërisht debatin e kandidatëve për Prishtinën. Hajnrullah Çeko nuk erdhi në Klan Kosova të “oligarkëve ” shkaku i patriotizmit folklorik. Hajnrullahu është patriot për aq sa unë jam daja i Xhingis Kanit .
Përrpa ishte mësuar ta dredhë e përdredhë fjalorin , nuk ishte ai i para katër vjetëve. Kishte më shumë siguri dhe me një arrogancë të menaxhuar mirë dominonte mbi butësinë argumentuese të Uranit dhe Besës. Përrpa po luan , tutti per tutti , të gjitha në një kartë dhe , kam bindjen se ia del edhe për një mandat. Hajnrullahu i iku debatit kurse përkrahjen më rrënuese ia dhe një fake profesor , llaskuc qeveritar , ” prof ” . dr. Ramçe
. Qartë po duket se Hajnrullahu nuk po ka interesim të madh ta fitojë Prishtinën , nuk i përshtetet oksigjeni i kryeqytetit . Po as partia nuk është se i ka dhënë ndonjë të shtyme të fortë. Partia që në start e dëmtoi me sloganin zgjedhor : ” Hajn ( r ) Prishtinës “. Alumni nderi i ardhshëm i Universitetit të Prishtinës , Mefail Bajçinovci do të kalonte më mirë , votuesit e LVV – së e kanë atë nivel . Urani ishte si Marathomaku , kurrë nuk u ndalë ! Ta shohim çfarë lajmi do e dërgojë në parti , ra Sparta apo fitoi Sparta ?! Pritjet e partive : Pritjet i rrisin tej kaçikut votues që e kanë. Është normale të jeshë optimist , për rrethana tona është jonormale të jeshë realist ! LVV – ë po deklaron se fiton shumicën e komunave. Nëse e aktivizojnë linjën Kusari – Radoiçiq , i kalojnë 10 komuna . PDK – e ka numrin magjik 10 komuna kurse LDK – ë konsideron 10 deri në 12 komuna. AAK – ë kënaqet me 5 komuna kurse NISMA me kryeqytetin politik të saj – Malishevën . LS – e pretendon 10 komuna e që ka gjasa edhe t’ i fitojë . Sa komuna i ka vërtetë Kosova , po më dalin si shumë ?!
Ta mbajmë njëfarë rendi logjik dhe ashtu si mendoj se do të jenë rezultatet . 1. LVV – ë mund të llogarisë vetëm në ato komuna që i fiton pa balotazh , në komunat ku do të ketë balotazh ka gjasa të mëdha të mos e fitojë asnjë. 2. PDK – ë i ka kërcyer vetes në bark në Kaçanik dhe Drenas , në Dukagjinë e ka humbur tokën elektorale kurse në Anamoravë ka dalë nga koma elektorale , vetëm sa për mbijetesë. Aktualisht vota më e fuqishme e PDK – së është rikthimi i respektit dhe dashurisë për UÇK – në . Më shumë vota iu sjellë Gjykata Speciale Raciste se puna që e kanë bërë me votues. 3. LDK – ë , krahasuar me zgjedhjet e fundit besoj se mund të ketë rritje për dy komuna . Fituesit e projektuar të komunave me shumicë shqiptare : Prishtina : Fitues shumë i mundshëm është Përparim Rama. Nëse shkonë në balotazh me Uranin , do të djersitet kurse me Çekon e ka më lehtë. Në Mitrovicë do të fitojë , besoj shumë Arianit Tahiri. Pas balotazhit.
Në Ferizaj fitues absolut është Agim Aliu. Besoj , pa balotazh. Në Pejë fiton Gazmend Muhaxheri , pas balotazhit. Në Prizren , nëse e ka përkrahjen e pakicave , fiton Shaqir Totaj . Në Gjakovë fitues është Ardian Gjini . Mund të ketë balotazh. Nëse LVV – ë nuk e fiton Gjilanin pa balotazh , në balotazh e humbë. Përcaktues për fituesin në balotazh do të jetë PDK – ë. Sokol Haliti , për një hap , pas balotazhit e fiton mandatin , besoj të fundit . Në Kamenicë do të ketë garë interesante , Qëndron Kastrati është sfidues serioz . Me përkrahjen e partive tjera mund edhe të rikthehet në krye të komunës.
Në Han të Elezit PDK – ë fiton , mbase pa balotazh. Kaçaniku është problem më vete , PDK – ë i mprehë dhëmbët për fitore. A do t’i mpihen nga rrushi i thartë ? Situatë me shumë të panjohura . Shtimja , për shkaqe objektive dhe subjektive është shpallur kryeqytet i LVV – së. Besoj ashtu do të mbetet. Në Lipjan i japë përparësi Imri Ahmetit , para Shukri Bujës. Në Obiliq besoj se fiton , pa problem , Xhafer Gashi. Edhe në Fushë Kosovë përparësi ka LDK – ë , me Besnik Osmanin . Në Vushtrri kemi një situatë thuaja 50 përqind me 50 përqind . Dita e fundit e bënë diferencën midis PDK ës dhe LDK – ës. Istogun e fiton LDK – ë , pa balotazh . Besoj se Klinën e fiton AAK – ë. Edhe në Rahovec fiton Smajl Latifi i AAK – së sikur edhe në Deçan. Junikun e fiton LDK – ë , besoj edhe Dragashin. Në Skenderaj , pa balotazh fiton PDK -ë. Në Drenas e kemi një personalitet karizmatik , Ramiz Lladrovci , thuaja pa parti dhe një person jokarizmatik , Petrit Hajdari , me parti të fuqishme. Balotazhi çonë ujë në mullirin votues të Petrit Hajdarit. Lufta e Ramiz Lladrovcit është si lufta e Davidit me Goliatin. Sipas mitologjisë Davidi e mund Goliatin duket se realiteti do të rrëzojë mitet . Në Suharekë do të shkojnë rrumas AAK – ë dhe LDK – . E padefinuar deri në votat e fundit. Podujevën e lashë për fund sepse për LDK – ë ka peshën e betejës së Stalingradit që përcaktoi fatin e luftës së dytë botërore. Shpejtim Bulliqi i LVV – së mendon se me këpucë të mandatit të kaluar , pa i dathë fare e siguron edhe një mandat . Nëse shkonë në balotazh e pati puna e tij , LDK – ë e fiton mandatin. LVV – ë , më shumë do të mvaret nga marrëveshjet midis partive tjera pas balotazhit , se nga votat e votuesve të LVV ‘ së.
Rezultati i zgjedhjeve lokale do të përcaktojë edhe qeverinë e ardhshme. Mund edhe mos të ketë fare zgjedhje të reja parlamentare. Mirëpo , edhe pesë ditë deri të dielen mund të provokojë ndryshime të paparashikueshme. Kush e çliroi Kosovën : Pata menduar se krahu politik i UÇK – së ishte Bacë Adem Demaçi kurse krahu ushtarak ishte Komandanti Legjendar Adem Jashari. Në podkastin Pordhë dhe Pikë të projugosllavit legjendar Veton Surroi , mysafir ishte i ” ikuri ” nga Alkatrazi i Prishtinës , Xhafer Shatri . Nuk e dije se cili lavdërohej ose , më mirë me thënë , trillonte më shumë. A shkonin në ushtrime pregatitore për luftë në Shqipëri , a e përcaktonin politikën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë , me rëndësi pa ta nuk zhvillohej asnjë proces apo zhvillim global , politik dhe ushtarak. Kur i dëgjoje këta mysketjerë të rraskapitur nga angazhimi i madh , atëherë me të drejtë shtrohet pyetja , pse qenka dashur që Baca Adem Demaçi të vuajë 30 vite burgje dhe Komandanti Legjendar Adem Jashari të sakrifikohet kur paskan qenë aq të angazhuar ujdisti Veton Surroi dhe marksistleninisti , Xhafer Shatri ?! Pasi e bëri një pakt politik me Surroin , Shatrit i duhen edhe dy bashkëmendimtarë që ta kompletojë trojkën ushtarake . Moti i ka zgjedhur , Mehmet Locin dhe Nazim Bllacën . Liverpuli dhe Barcelona : Barcelona thuaja është bërë krejt si Liverpuli , 90 përqind . Për t’ u bërë krejt Liverpul i duhet edhe një humbje , tre humbje radhazi ! Si ngushëllim , Luverpuli i ka shpenzuar 550 milionë euro për blerje të lojtarëve kurse Barcelona e ka marrë Rashfordin veresi , deri në verë! 8 tetor 2025 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA