Nga Avni Selmani
Së fundmi, aktori Jeton Zogjani publikoi një fotografi të profesorit dhe aktorit të mirënjohur Enver Petrovci me kryeministrin, duke nxitur komente fyese dhe denigruese ndaj profesorit. Edhe më i rëndë bëhet ky veprim publik i qëllimshëm, në një kohë kur Enver Petrovci meriton më shumë se kurrë respekt dhe ndjeshmëri, jo përçmim.
Kjo nuk është gafë. Nuk është as naivitet. Është një veprim i ndërgjegjshëm, i qëllimshëm dhe i ulët. Kur një njeri me qasje publike vendos t’ia hedhë masës një figurë të nderuar të kulturës sonë, duke e nxitur turmën të derdhë vrer e përçmim, nuk kemi të bëjmë me humor apo ironi, por me një sulm të pastër dhe të qëllimshëm. Dhe aq më i rëndë kur vjen nga dikush që mban titullin “artist”.
Enver Petrovci nuk është një emër dosido. Ai është një njeri që i ka kushtuar jetën teatrit, filmit dhe edukimit të brezave të rinj. Një personalitet që ka ndërtuar, formuar dhe frymëzuar me dhjetëra vepra dhe me qindra studentë, të cilët sot janë emra të respektuar të skenës sonë, dhe që kanë kaluar përmes fjalës, skenës dhe përkushtimit të tij.
Në këto ofendime nuk kemi të bëjmë me mendime ndryshe, por me një shpërthim të neveritshëm fyerjesh personale, gjuhe urrejtjeje dhe etiketimeve të rënda, që e përshkruajnë Petrovcin me terma të turpshëm dhe denigrues që nuk meritojnë as të përsëriten.
Dhe çfarë bën Jeton Zogjani përballë kësaj? Asgjë. Nuk fshin asnjë koment. Nuk dënon askënd. Nuk reagon. Përkundrazi, miratim ndaj fyerjeve. Ai mund të thotë se nuk i kontrollon komentuesit, por kjo nuk është e vërtetë. Sepse kur ti je ai që ndez zjarrin dhe qëndron aty duke parë të digjet dikush tjetër, ti nuk je më spektator, je zjarrvënësi. Dhe ky zjarr nuk ka të bëjë me lirinë e shprehjes, por me shkatërrimin e dinjitetit të një njeriu.
Në fund të ditës, Zogjani nuk e bëri rastësisht këtë veprim. Ai e zgjodhi vetë. E zgjodhi të heshtë, të mos ndërhyjë dhe ta kthejë emrin e Enver Petrovcit në objekt fyerjesh. Dhe me këtë zgjedhje, ai nuk qëndron në krahun e atyre që nderojnë, por në radhën e atyre që baltosin, përbuzin dhe poshtërojnë.