2025/12/02
Banner Top
Shoqëria civile reagon për ambasadoren që mori pjesë në tubimin e VV-së: Ndërhyrje në proces zgjedhor

Shoqëria civile ka reaguar pasi ambasadorja e Kosovës në Norvegji, Nita Luci, ka marrë pjesë në tubimin e VV-së.

Në një reagim për media, thuhet se kjo mund të interpretohet edhe si ndërhyrje në proces zgjedhor.

Reagimi:

Reagim për shkeljen e parimit të neutralitetit diplomatik

Organizatat e shoqërisë civile, në kuadër të misionit të tyre për të promovuar dhe mbrojtur parimet dhe standardet demokratike dhe ruajtjen e integritetit institucional, shprehin shqetësim të thellë për raportimet lidhur me përfshirjen politike të Ambasadores së Republikës së Kosovës në Norvegji, znj. Nita Luci në kampanja të partive politike.

Prezenca e Ambasadores së Kosovës në Norvegji në një takim të një partie të vetme politike mund të krijojë perceptimin e anshmërisë politike gjatë ushtrimit të shërbimit diplomatik në të mirë të një subjekti të caktuar. Kjo prezencë, sidomos në prag të zgjedhjeve, rrezikon të interpretohet si ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe bie ndesh me parimin e neutralitetit diplomatik. Për më tepër, ky rast ka potencial të dëmtojë imazhin dhe besueshmërinë e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës.

Audienca kryesore e ambasadorëve janë institucionet e shtetit pritës, organizatat joqeveritare, bizneset dhe qytetarët e huaj. Përfshirja e ambasadorëve në ngjarje partiake shkon kundër praktikave diplomatike dhe parimit të mosndërhyrjes, si dhe dëmton frymën e një gare demokratike të lirë dhe të ndershme. Gara mes partive politike nuk është hapësirë ku diplomatët duhet të gravitojnë. Ky rast

nuk duhet lejuar të bëhet praktikë.

Për të mbrojtur integritetin e përfaqësimit diplomatik, respektimin e ligjit dhe procesin zgjedhor, duhet të ndërmerren masa të qarta institucionale në pajtim me ligjin, duke forcuar llogaridhënien.

Në aspektin ligjor, ky veprim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, i cili në Nenin 32 parasheh qartë obligimet e nëpunësve të shërbimit të jashtëm. Sipas këtij neni, nëpunësi i shërbimit të jashtëm është i obliguar: “të pezullojë aktivitetin e tij në një parti, organizatë ose shoqatë politike gjatë periudhës së shërbimit të jashtëm”.

Çdo përfshirje në aktivitete partiake nga një ambasador përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe cënim të rëndë të parimit të paanshmërisë dhe profesionalizmit të shërbimit diplomatik.

Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të reagojë pa vonesë, të sqarojë rastin publikisht dhe të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë dhe pa përjashtime. Mosveprimi institucional në raste të tilla përbën tolerim të shkeljes së ligjit dhe rrezikon normalizimin e politizimit të diplomacisë.

Banner Content

0 Comments

Leave a Comment