Trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, ka hedhur kritika të forta ndaj stafit të Kombëtares së Shqipërisë, duke u shprehur se lojtarët po mbingarkohen me stërvitje, ndonëse më pas nuk po marrin asnjë minutë në fushë. Objektivi kryesor i kritikës ishte sulmuesi Mirlind Daku, i cili qëndroi në stol gjatë të dy ndeshjeve të nëntorit me Shqipërinë, ku trajneri Sylvinho e pa vetëm si zgjedhje të tretë.

Rakhimov, i cili foli hapur për situatën, tha se kishte kontaktuar personalisht me Dakun menjëherë pas rikthimit të tij nga grumbullimi. “E telefonova për të hequr presionin nga ai. I thashë se nuk më pëlqente mënyra se si po punohej në Kombëtare. Ne marrim informacion për ngarkesën e punës tek Shqipëria dhe pamë se Daku stërvitej rëndë pa luajtur fare,” u shpreh trajneri rus.

Trajneri i Rubin Kazanit tregoi edhe një pjesë të bisedës motivuese me sulmuesin shqiptar, duke e krahasuar situatën e tij me periudhat pa gol të superyllit Lionel Messi. “I thashë se edhe Messi ka periudha kur nuk shënon. Nuk duhet të mendosh vetëm për statistikat – duhet të kryesh punën tënde dhe të mbetesh profesionist. Liga po të vlerëson, të gjithë po të shikojnë,” tha ai.

Megjithatë, Rakhimov vlerësoi lart cilësitë e Dakut dhe ndikimin që ai ka te skuadra. “Ai sjell kualitet, është i matur dhe po rritet vazhdimisht. Edhe trajneri kundërshtar sot i bërtiti lojtarëve të tij që të mos e linin Dakun vetëm me një mbrojtës. Ai është aset për ne,” nënvizoi ai.
Daku i dha fund një serie dy mujore pa gol, duke realizuar një rrjetë të bukur solo në ndeshjen e së shtunës ndaj Ahmatit.



