Më 2 shkurt 2026, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, ka vendosur të modifikojë dënimin e Haxhi Shalës për të mundësuar lirimin e tij me kushtet e përcaktuara në vendimin e saj.
Këto kushte do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur nga 3 vitet e dënimit të tij.
Shala u lirua dhe u kthye në Kosovë sot.
Në njoftimin e Gjykatës Speciale thuhet se Trendafilova mori parasysh se Shala kishte treguar disa shenja rehabilitimi dhe se i kishte dërguar asaj një letër në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij.
Ajo mbajti parasysh gjithashtu “marrëdhëniet familjare pozitive të z. Shala, mjedisin e qëndrueshëm të jetesës dhe rrjetin e gjerë shoqëror, që tregojnë perspektivë të arsyeshme rehabilitimi”.
“Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, z. Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor”, thuhet në njoftim.
Procedurat e uljes, modifikimit ose ndryshimit të dënimeve të përcaktuara në nenin 51(2) të Ligjit janë procedura individuale. Kur një person i shpallur fajtor ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo nuk ka të drejtë të vetvetishme që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet, por vetëm plotëson kriteret për shqyrtim të mundësisë së uljes, modifikimit ose ndryshimit të dënimit



