Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se SHBA-ja po vepron me forcë të plotë kundër Iranit, duke theksuar se administrata e tij synon të shkatërrojë kapacitetet e regjimit iranian në disa fronte.
Në një postim në platformën sociale Truth Social, Trump shkroi se Shtetet e Bashkuara po “shkatërrojnë plotësisht regjimin terrorist të Iranit, ushtarakisht, ekonomikisht dhe në çdo mënyrë tjetër”.
“Ne kemi një fuqi zjarri të pakrahasueshme, municione të pakufizuara dhe gjithë kohën që duam”, thuhet në mesazhin e publikuar nga presidenti amerikan.
Trump përdori gjithashtu tone shumë të ashpra ndaj udhëheqjes iraniane, duke e akuzuar atë për dhunë ndërkombëtare gjatë dekadave të fundit.
“Ata kanë vrarë njerëz të pafajshëm në të gjithë botën për 47 vite dhe tani unë, si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po i godas ata. Është një nder i madh ta bëj këtë”, shkroi ai në postimin e tij.
Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe në sfondin e përshkallëzimit të përballjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.



