2025/12/06
Banner Top
Bajrami: Fatura e rrymës është hajnia më e madhe që po u bëhet qytetarëve, VV-ja është në panik

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë me dije se fatura e rrymës është hajnia më e madhe që po u bëhet qytetarëve të Kosovës.

Ajo ka treguar se për shkak të publikimit të këtyre fakteve partia në pushtet është në panik.

Në një konferencë për media, Bajrami ka thënë se zyrtarët e VV-së nuk po arrijnë të demantojnë asnjë fakt të publikuar nga LDK-ja.

“Fatura e rrymës është hajnia më e madhe që po u bëhet qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për shkak të gjetjeve dhe fakteve të publikuara këto ditë, LVV është në panik. Pas dështimit të konferencës së Armend Mujës, dje keni parë që doli në konferencë tashmë e ‘vet-quajtura ministre e ekonomisë’, zonja Rizvanolli, e cila nuk ka qenë në gjendje të zbardhë asnjë fakt, aq më pak të demantojë ndonjë prej fakteve që këto ditë i kemi shpërfaqur”, ka thënë Bajrami.

Duke komentuar deklaratat e djeshme të ministres Rizvanolli, Bajrami ka vlerësuar se janë krijuar dyshime serioze mbi importet e energjisë dhe rolin dominues të kompanisë EFT në tregun rajonal.

“Ajo gjithashtu tha që Kosova nuk importon energji elektrike nga EFT; Kosova shumicën e rasteve ka importuar energji nga NOA, por ajo që ne kemi thënë shihet qartë se EFT viteve të fundit e ka monopolizuar tregun e energjisë. EFT i ka fituar shumicën e ankandeve vjetore, mujore dhe ditore. Gjatë qeverisë së Kurtit 2021–shtator 2025, Kosova ka importuar 811 milionë euro energji elektrike; anashkalimi i EFT është gati i pamundur për shkak se ai bën rezervimin e kapaciteteve transmetuese dhe ka monopolin në këtë treg. Ish-ministrja tha se EFT i përdor këto kapacitete vetëm për tranzit, por të dhënat paraqesin diçka tjetër: kostot e transportit të energjisë për Kosovën rriten deri në 84 herë në ditë atëherë kur bien blloqet e KEK-ut”, është shprehur Bajrami.

Ndër të tjera, në këtë konferencë, ajo ka kërkuar nga që të sigurojë transparencë lidhur me importin e energjisë.

Sipas saj, institucionet përkatëse duhet të publikojnë informacionet mbi marrëveshjet për blerjen e energjisë.

“Ju bëj thirrje zonjës Rizvanolli dhe institucioneve përkatëse që të bëjnë publik informacionin se nga kush po blejmë energjinë, sa po paguajmë për energjinë dhe nga cilat burime po e importojmë. Gjithashtu, më lejoni t’ju them se qeveria ka thënë që nuk importon energji, por kjo nuk është e vërtetë. Qeveria ka importuar energji, madje edhe kur zoti Kurti fliste për mafien energjetike”, ka thënë Bajrami.

Banner Content

0 Comments

Leave a Comment