Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet A.P., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Gjykatës, pas mbajtjes së seancës dëgjimore është vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi ka rrezik real që i dyshuari, nëse lihet në liri, mund të arratiset për t’iu shmangur përgjegjësisë penale dhe të pengojë zhvillimin e procedurës.
Po ashtu, Gjykata ka konsideruar se ekziston mundësia që i pandehuri të ndikojë në dëshmitarë ose të asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo falsifikojë prova që lidhen me rastin.
“Caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate për sigurimin e zhvillimit të papenguar të procedurës penale”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.
“Palët e pakënaqura me këtë vendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/



