Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga gazetari i T7, Genc Godanci, nëse premtimi për krijimin e xhandarmërisë do të ketë fatin e njëjtë si shërbimi i detyrueshëm ushtarak i paralajmëruar në vitin 2019.
Kurti u shpreh se pas përfundimit të koncept-dokumentit fillestar do të procedohet me projektligjin për xhandarmërinë, i cili më pas do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Sa i përket shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ai tha se çështja është më komplekse dhe kërkon kohë, duke theksuar se aktualisht është vlerësuar një qasje tjetër e sigurisë.
“Për momentin, kemi vlerësuar edhe me ekspertët se në situatën në të cilën ndodhemi është shumë më e mençur të kemi mbrojtjen gjithëpërfshirëse, një model që i ngjan atij të Finlandës, ku nuk krijohet një ushtri me një numër të madh njerëzish që më pas duhet të strukturohen e pajisen, por përcaktohen funksione dhe detyra konkrete për raste të ndryshme rreziku, nga fatkeqësitë natyrore deri te lufta e armatosur,” tha Kurti.
Ai shtoi se ky model plotësohet edhe me dy shtylla të tjera: edukimin për siguri në shkolla të mesme, si model i frymëzuar nga Polonia, dhe krijimin e rezervës vullnetare të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Kjo është shumë më e mirë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak,” përfundoi Kurti.



