2026/04/15
Banner Top
SPAK godet grupin kriminal ndërkombëtar, sekuestrohen 12 milionë euro pasuri

Prokuroria e Posaçme bën me dije se, janë goditur 8 episode të trafikimit të kokainës gjatë viteve 2019-2021, në bashkëpunim me rrjete që operonin në Amerikën Latine dhe në disa shtete të Europës, përfshirë Holandën dhe Belgjikën, raporton A2CNN.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet ligjzbatuese në disa vende europiane. Me vendim të GJKKO-së, janë caktuar masa sigurie “arrest në burg” për 11 shtetas shqiptarë, ndërsa disa prej tyre janë ende në kërkim.

Hetimet kanë zbardhur raste të shumta të trafikut të drogës, ku përfshihen sasi të mëdha kokaine të fshehura në kontejnerë me produkte ushqimore dhe të transportuara drejt porteve europiane, kryesisht në Roterdam.

Ndërkohë, gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e 232 pasurive, me një vlerë totale rreth 12 milionë euro. Mes tyre përfshihen kompani, prona të paluajtshme, automjete dhe llogari bankare të personave nën hetim.

Banner Content