Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka bërë thirrje që fushata për zgjedhjet e parakohshme të zhvillohet me maturi, respekt dhe kulturë demokratike, duke shmangur gjuhën e urrejtjes dhe akuzat politike.
Gjatë ligjëratës në manifestimin qendror të Kurban Bajramit në Xhamia e Madhe, Tërnava tha se fushatat e mbështetura në përçarje dhe shpifje nuk i shërbejnë të ardhmes së Kosovës.
“Një fushatë e ndërtuar me përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës dhe as të ardhmes së saj. Le të mbizotërojë dinjiteti dhe kultura demokratike e dialogut”, deklaroi ai.
Ai u bëri thirrje partive politike që garën zgjedhore ta bazojnë në ide, programe dhe vizion për vendin, ndërsa qytetarëve u kërkoi që të votojnë lirshëm dhe me përgjegjësi.
Tërnava shprehu shpresën që pas zgjedhjeve faktori politik të reflektojë me maturi dhe përgjegjësi shtetërore, në mënyrë që institucionet të formohen sa më shpejt.
“Vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat”, përfundoi myftiu i Kosovës.



