I jepni një mundësi Spiropalit !
Në Londrën e shekullit të tetëmbëdhjetë, me një qindarkë mund të siguroje një vend në një kafene, një filxhan kafe dhe të bisedoje në një tavolinë ku nuk njihje askënd. Ato tavolina u bënë shpesh hapësira të rëndësishme debati. Shkencëtarë, tregtarë, pamfletistë dhe qytetarë debatonin deri natën vonë për politikën, tregtinë, shkencën dhe filozofinë. Hapësira të tilla, të njohura edhe si “universitete njëqindarkëshe”, ishin të hapura për një gamë të gjerë klasash shoqërore, aq sa Charles II u përpoq t’i ndalonte ato. Këto kafene u bënë qendra të jetës shoqërore dhe intelektuale të Iluminizmit. Idetë që riformësuan botën moderne lindën në bisedat e këtyre kafeneve, dhe jo në vetminë e studiuesve. Iluminizmi nuk ishte zëri i një mendimtari të vetëm, por kori i ideve të shumë njerëzve.
Idetë e reja zhvillohen, ndahen, inkurajohen ose dekurajohen duke përdorur struktura dhe norma të gjeneruara dhe të kuruara në mënyrë kolektive. Ndaj Émile Durkheim i konsideronte idetë si pjesë të “vetëdijes kolektive” dhe jo thjesht mendime brenda mendjeve individuale. Ato janë pjesë e “jetës së përbashkët mendore” që formohet përmes institucioneve, traditave dhe marrëdhënieve.
Sot, mediat janë si “kafetë njëqindarkëshe” të Londrës së vjetër, por fatkeqësisht, më shumë sesa ide, prodhojnë propagandë, populizëm dhe polarizim.
“Revolucion” u quajtën dy statuset e Elisës në një nga ekranet televizive, duke e vrarë dhe varrosur me brohoritje, shtatë pashë nën dhe, aktin e saj të mosbindjes. Argumentet “qëllimmira” shërbyen për të na kujtuar se në tokën e djegur dhe të zaptuar nga dhuna politike bashkëkohore, populizmi, polarizimi dhe propaganda, çdo akt mosbindjeje mund të barazohet gabimisht me heroizmin.
Krahasimi i mosbindjes me revolucionin është shtrembërues, pasi nuk na lejon që problemet që sot Elisa po përpiqet të shtrojë të argumentohen, të kundërshtohen, të formëzohen dhe të përpunohen; përkundrazi, i vendos ato padrejtësisht nën dritën e cinizmit dhe hakmarrjes. Nëse kjo qasje vazhdon, do të na lërë pa përgjigje nëse në reagimin e saj ka elementë për t’u çmuar apo për t’u përkrahur. Kjo qasje pengon krijimin e një ideje të qartë se çfarë urash duhen ndërtuar dhe cilat mure duhet të shkatërrohen nga socialistët e thjeshtë në lidhje me të dhe qëndrimet e saj.
Për më tepër, Elisa nuk është një anëtare e thjeshtë e Partisë Socialiste; përkundrazi, deri dje ka shërbyer si një nga mekanizmat politikë më të rëndësishëm (pas Edi Ramës) për formësimin dhe përhapjen e propagandës. Dhe një propagande të pastër, që nuk synonte vetëm të ndikonte opinionet tona, por punonte për të krijuar apati, për të nxitur zemërim, për t’i larguar njerëzit nga sistemi politik, madje për t’i bërë skeptikë ndaj gjithçkaje.
Në këto kushte, nuk ka aq rëndësi çfarë mendon Elisa, sa ka rëndësi si e mendon dhe si e artikulon atë, si dhe çfarë ka ndodhur e çfarë do të ndodhë më pas.
Për më tepër, spektakli i pastër i “distancimit”, me të cilin ka filluar ky akt mosbindjeje, nuk është gjë tjetër veçse një mekanizëm i ndërgjegjes për t’u ndjerë “e drejtë”, duke shmangur përgjegjësinë.
Rruga për në ferr shtrohet me qëllime të mira. Qëndrimet, idetë dhe aktet e mosbindjes nuk janë pasuri në vetvete, por marrin vlerë nga forca për të mobilizuar sa më shumë njerëz rreth tyre.
Ndaj, kush vërtet i vlerëson qëndrimet e Elisës — sepse, në fund të fundit, më mirë vonë sesa kurrë — nuk mund të ushtrojë mbi to gjykimin sipërfaqësor të spektatorit që kërkon të shohë revolucionin.
Askush, aq më pak Spiropali, nuk mund të formëzojë revolucione. Por gjithkush — dhe aq më shumë Spiropali — ka mundësinë të fillojë një proces reflektimi të sinqertë dhe publik, që kërkon pikë së pari përballje me të vërtetën.
Spiropalit sot nuk i nevojitet protagonizmi revolucionar heroik, i cili edhe pse i ndryshëm në natyrë nga heshtja, në shoqëri të zhgënjyera nga politika, krijon të njëjtin rezultat si heshtja . Elisës i duhen më shumë shokë që që ndajnë shqetësimet e saj .
I jepni një mundësi Spiropalit; mos e ngrini në piedestal për ta rrëzuar shpejt!



