Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se integrimi i serbëve në dhjetë vitet e fundit në institucionet e Kosovës ka qenë i rremë, derisa ka shtuar se tani po bëhet integrimi i vërtetë.
Në pyetjen nëse dorëheqja e qytetarëve serbë nga institucionet në veri të Kosovës është një kthim mbrapa, gjatë një interviste për gazetën zvicerane, Tages-Anzeiger, Kurti është shprehur se nuk mendon kështu.
“Unë nuk mendoj kështu. Gjatë dhjetë viteve të fundit ne kemi pasur një integrim të rremë. Zyrtarët serbë kryesisht i kanë bojkotuar seancat. Me ministrin tim të ri serb dhe këshilltaren e tij, tani kemi një integrim të vërtetë. Ata janë dy personat e urryer në Beograd edhe më shumë se unë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, i pyetur nëse në Kosovë do të përshpejtohet eksodi i të rinjve pas heqjes së vizave në zonën Shengen nga viti i ardhshëm, Kurti ka thënë se për këtë arsye po punohet që Kosova dhe Gjermania të kenë një sistem dual të arsimit.
“Është një problem i madh. Ne kemi shumë juristë dhe politologë që duan të bëhen diplomatë. Por ne kemi vetëm 30 ambasada. Si mund t’i akomodojmë të gjithë këta diplomatë? Ajo që i mungon tregut tonë janë, për shembull, kuzhinierë të trajnuar, muratorë apo floktarë. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë për të zbatuar një sistem dual të arsimit si në Zvicër apo Gjermani”, ka thënë Kurti ndër të tjera për gazetën zvicerrane.
Kurti në këtë intervistë ka folur edhe për sigurinë në Kosovë dhe Rajon, luftën në Ukrainë dhe tema tjera.