Prokuroria Speciale ka konfirmuar se do ta thërrasë për intervistim deputetin Haki Abazi lidhur me deklaratat e tij për rastin e zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari.
I kontaktuar nga Gazeta Express, deputeti Haki Abazi tha se është i gatshëm të deklarohet para prokurorisë.
“Sa herë që më thërret drejtësia unë jam i gatshëm”, tha Abazi për Gazetën Express.
I pyetur nëse në prokurori do të ofrojë informacione apo dëshmi shtesë për zhdukjen e mostrave të Deharit, përveç atyre që i tha në konferencë, Abazi u përgjigj “jo”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, është shprehur i habitur se si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit.
Ai ka deklaruar se Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë prej kamerave të sigurisë dhe sipas tij dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi për t’i zhdukur mostrat e Deharit.
“Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit që kemi për ta sqaruar se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari dhe si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Për ne as si shoqëri as si qytetarë e as si deputet nuk mund të rrijmë të heshtur përballë një procesi të këtillë dhe ne duhet të gjithë ta kryejmë punën që na takon për ta zbardhur këtë çështje deri në fund. IML është i monitoruar 24 orë prej kamerave, dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera dhe janë zhdukur”, tha Abazi në konferencën e thirrur nga vetë ai.
Deputeti Abazi ka thënë se për rastin e Astrit Deharit dhe zhdukjen e mostrave të tij duhet të merren në pyetje disa figura të Vetëvendosjes, duke filluar nga kryeministri Kurti.
“Nuk besoj që kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balaj dhe Flutura Gogaj-Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për t’u mbajtur mbi supet e qytetarëve. Rrugët janë të qarta se si duhet të bëhet kjo punë”, deklaroi Abazi.
Këto deklarata, Prokuroria Speciale tha se i ka dëgjuar me vëmendje.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se ka dëgjuar me vëmendje deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, dhënë sot për media, dhe se i njëjti së shpejti do të ftohet për intervistim”, njoftoi Prokuroria Speciale.
Të mërkurën Gazeta Express ka raportuar se prokuroria nuk ka asnjë person të dyshuar për rastin e zhdukjes së mostrave të Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu, i ka thënë Gazetës Express se kanë intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve. Sipas tij, Prokuroria ka ndërmarr veprime konkrete që do t’i ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore. /Gazeta Express