Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar dje ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Lidhur me këtë çështje ka folur sot ish-nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, në “Kosova Today”.
Haradinaj tha se Rama e ka kryer këtë vizitë si obligim kushtetues, por edhe si mik dhe shok i tyre.
Sipas tij, kjo vizitë ka rëndësi të veçantë, por kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë si pasojë e pritesës së nënshkrimeve të letrave.
“Edi Rama e ka kryer këtë vizitë si obligim kushtetues, por normalisht edhe si shok e si mik. Ajo që është shumë më e rëndë për ne dhe që na dhemb shumë, është fakti se kryeministri tjetër, Qeveria këtu në Kosovë, jo tash por asnjëherë, nuk ka bërë diçka të tillë. Arsyetimin e ka më të fortin, thotë se ka pritu sepse kanë qenë shumë faqe për t’i mbushur letrat. Llogaritni sa rëndësi i është dhënë burgosjes së shqiptarëve, pa marrë parasysh se atje po mbahen padrejtësisht. Gjithçka që deri më sot ka treguar kjo gjykatë, dëshmon se është gjykatë politike dhe jo e drejtësisë”, tha Haradinaj



