SHBA-të kanë sekuestruar një anije cisternë nafte që ishte nisur së fundmi nga Venezuela, sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, raporton BBC.
Është hera e dytë këtë muaj që një anije që transportonte naftë është sekuestruar në brigjet e vendit.
Ky veprim vjen pasi Presidenti Donald Trump tha të martën se po urdhëronte një “bllokadë” të anijeve cisternë të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Venezuela e ka përshkruar veprimin e fundit të SHBA-së si “vjedhje dhe rrëmbim”. Më parë ajo ka akuzuar administratën Trump se po përpiqet të vjedhë burimet e saj.
“Këto akte nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, tha një deklaratë nga qeveria venezueliane, duke shtuar se kishte ndërmend të paraqiste një ankesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe “agjenci të tjera shumëpalëshe dhe qeveritë e botës”.
Operacioni u drejtua nga Roja Bregdetare e SHBA-së, i ngjashëm me operacionin në fillim të këtij muaji. Anija u mor nga një ekip i specializuar taktik dhe ndodhej në ujëra ndërkombëtare kur u mor.
Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, departamenti i së cilës mbikëqyr Rojën Bregdetare, ndau një video shtatëminutëshe të operacionit në X.
Ajo tregon helikopterë amerikanë që zbarkojnë në kuvertën e një anijeje me emrin Centuries të shkruar anash.



