2025/11/21
Banner Top
Bëmat e Belinda Ballukut dhe “mali i shkeljeve” që rëndon mbi të

Të enjten, më 20 nëntor 2025, zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, u pezullua nga detyra me vendim të GJKKO-së. Gjykata vendosi gjithashtu masën e ndalimit të daljes jashtë vendit. Balluku është marrë e pandehur nga SPAK në lidhje me abuzimin prej rreth 50 milionë eurosh për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me akuzën “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Në këtë aferë janë përfshirë edhe ish-zyrtarë të lartë, bashkëpunëtorë të saj, për të cilët GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie”: drejtori i KESH, Erald Elezi, dhe kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli.

Më 20 tetor 2025, SPAK dorëzoi një aktakuzë prej 45 faqesh ndaj Ballukut dhe pesë zyrtarëve të tjerë, duke dokumentuar manipulimin e procedurës së tenderimit të tunelit të Llogarasë, me fond limit 190 milionë euro.
Dosja përfshin të dhëna të hyrje-daljeve kufitare, akte administrative, dokumente zyrtare, si edhe komunikime telefonike apo mesazhe në aplikacione të ndryshme midis Ballukut dhe vartësve të saj.

Por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Balluku, si ministre e Infrastrukturës, është nën hetim edhe për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, të fituar nga një konsorcium me ofertë 19.9 milionë euro pa TVSH.

Hetimi nisi pasi të gjithë operatorët e tjerë u skualifikuan, përfshirë ofertën ekonomikisht më të ulët — një skemë që ngre dyshime për paracaktim fituesi. Ky model shkeljeje nuk është i panjohur për ministren, pasi emri i saj lidhet pothuajse me çdo projekt madhor me miliona euro në vend, përfshirë Inceneratorin e Tiranës, i cili edhe 7 vite pas firmosjes së kontratës… thjesht nuk ekziston, megjithëse buxheti i shtetit ka paguar plot 100 milionë euro.

Skandali Thumanë–Kashar

Një tjetër aferë madhore është projekti prej 21 km Thumanë–Kashar. Në vitin 2018, kompania Gener 2 propozoi ndërtimin e autostradës kundrejt 245 milionë eurove. Por në fund të 13 viteve, shteti do të paguante 455 milionë euro — 210 milionë euro më shumë se investimi. Skandali, i shoqëruar edhe me falsifikime dokumentesh, çoi në ndryshime në qeveri.

Balluku, e ardhur në detyrë në vitin 2019, e anuloi koncesionin. Gener 2 e ankimoi vendimin dhe ndonëse humbi në Shkallën e Parë, e fitoi në Apel më 29 korrik 2021. Ky vendim hapi rrugën për miratimin e draft-kontratës së re nga Balluku — dhe aty nis lista e gjatë e shkeljeve.

Kontrata e re ndryshon kushtet thelbësore të garës së vitit 2018:

Afati i koncesionit rritet nga 13 në 35 vjet

Përfitimi total i koncesionarit nga 445 milionë euro shkon në 1.307 miliardë euro

Përcaktohet tarifë kalimi prej 2.5 euro, ndonëse dokumentet e garës ndalonin vendosjen e çdo tarife

Këto ndryshime bëhen pa studim fizibiliteti dhe pa konsultim me banorët

Afera e anijeve gjeneratorë – “Tigri 1” dhe “Tigri 3”

Kjo aferë është trajtuar në mbi 15 episode të emisionit Piranjat. Anijet u blenë në vitin 2022 në Bangladesh për 15 milionë dollarë, ndërsa KESH firmosi kontratë qiraje prej 45.5 milionë dollarësh — trefishi i vlerës reale.
Por ka edhe më shumë: kompania Renco, që merret me operimin e anijeve, përfiton 22.5 milionë dollarë të tjera.
Në total, 68 milionë dollarë dalin nga arka e KESH.

Ndërkohë, çdo ndezje e anijeve shkakton ndotje masive në zonën e mbrojtur të gjirit të Vlorës.
Sipas analizës së KLSH, çmimi i energjisë së prodhuar prej tyre arrin 268 euro/MWh, katër herë më i shtrenjtë se çmimi i importit.

Aeroporti i Vlorës – një tjetër plagë e rëndë

Koncesioni i aeroportit të Vlorës është një nga projektet më të kritikuara të qeverisë Rama. Bisedimet nisën në 2018, por kontrata u nënshkrua më 20 prill 2021 me konsorciumin e përbërë nga:

Mabetex Group – 58%

YDA Group – 40%

2A Group – 2%

YDA u largua më vonë, duke shitur aksionet vetëm për 4450 euro — një absurditet financiar. Balluku miratoi largimin e tyre pa kërkuar një kompani zëvendësuese me kapacitet teknik dhe financiar, duke vënë në rrezik projektin.

Kostoja e ndërtimit është 104 milionë euro, por taksapaguesit mund të paguajnë 138 milionë euro në rast të dështimit të koncesionit — 32% më shumë se investimi.
Megjithatë, më 28 nëntor 2021, makineritë e rënda hynë në zonën e mbrojtur të Vjosë–Nartës, duke shkatërruar një nga ekosistemet më unikale të vendit.

Sot, edhe pas kësaj goditjeje ndaj natyrës dhe kostove të jashtëzakonshme, konflikti midis aksionerëve (2A Group dhe Mabetex) e rrezikon projektin, duke i hapur rrugë kërkesave për garanci financiare ndaj shtetit shqiptar./piranjat.news

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi

Banner Content

0 Comments

Leave a Comment