Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim për shoferin e autobusit B.M., i arrestuar të premten në rajonin e Prishtinës, pasi dyshohet se po transportonte rreth 120 kilogramë marihuanë nga Shqipëria drejt Kosovës.
Sipas Prokurorisë, B.M. ngarkohet me veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet ngrenë dyshime të bazuara se më 21 nëntor 2025, i pandehuri ka transportuar sasinë e narkotikëve me një autobus me targa…, me destinacion përfundimtar vende të ndryshme të Evropës. Në automjetin që ai po drejtonte, policia ka zbuluar bunkerë të modifikuar nën ulëse, ku janë gjetur qese me substancë të dyshuar marihuanë, me peshë totale rreth 120 kilogramë.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.K., më datën 21.11.2025, me autobusin me targa …, ka transportuar substancë narkotike nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, me qëllim që substanca narkotike të dërgohet në vendet ndryshme evropiane. I pandehuri është ndaluar me autobusin të cilin po e drejtonte, në të cilin, nën karrige kishte bunkerë të modifikuar ku janë gjetur qese najloni të cilat ishin të mbushura me substancë narkotike që dyshohet se është marihuanë dhe me peshë të përgjithshme rreth 120kg”, u tha në njoftimin e Sistemit Prokurorial.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, sipas njoftimit, u tha se gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate pasi që, nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të pengojë rrjedhën e hetimeve, në rastin konkret duke komunikuar me bashkëkryerësit tjerë, krejt kjo me qëllim që i pandehuri t’i shmanget përgjegjësisë penale.
Gjykata gjithashtu vlerësoi se “nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të vazhdojë me kryerjen e veprave penale apo të përfundojë këtë vepër penale me narkotikë të tjerë, duke pasur parasysh përfitimet e mëdha që sjellin këto veprime të kundërligjshme”, tha Prokuroria.



