Pierre Richard Prosper, avokat i ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit në Hagë, ka shprehur shqetësim të thellë për mënyrën se si po trajtohet procesi gjyqësor dhe cilësinë e provave që po paraqiten nga Prokuroria.
Në një intervistë për Ingo Magazine në Klan Kosova, Prosper deklaroi se është i habitur nga niveli i provave mbi të cilat Prokuroria po mbështet pretendimet e saj.
“Nuk mendoj se ky është standardi që duhet të merret shembull nga kushdo, qoftë gjykatë vendore apo ndërkombëtare. Nuk mund të jemi në një situatë ku Prokuroria mbështetet në deklarata e raportime shtypi, libra, madje nuk e prezanton as autorin e librit”.
Prosper shtoi se Prokuroria ka paraqitur madje edhe draft-dokumente dhe dorëshkrime librash si pjesë të materialit mbështetës, gjë që ai e konsideroi të papranueshme.
Sipas tij, një proces gjyqësor duhet të bazohet mbi dëshmi të drejtpërdrejta dhe të verifikueshme:
“…të mbështetesh në citime të BBC-së a CNN a AP-së si ajo të jetë prova dhe e vërteta, është shokuese!”
“Ne me kësi procedura kemi punë dhe me to do të merremi, por mendoj se jo vetëm në shtetet në zhvillim e sipër, por edhe në vendet e zhvilluara, nuk veprohet kështu. Dhe mendoj se sistemi gjyqësor ndërkombëtar e ka humbur rrugën”, tha Prosper.



