Kosova ka mbetur jashtë përfitimit nga paketa prej 171 milionë eurosh e Komisionit Evropian për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit privat në Ballkanin Perëndimor, për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore dhe bllokadës institucionale pas zgjedhjeve.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se mungesa e ratifikimit të Marrëveshjeve të Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të Lehtësimit për Reformë dhe Rritje (RGF) ka pamundësuar ende pagesat për Kosovën, duke thënë se vendi nuk mund të përfitojë nga këto fonde pa përmbushjen e procedurave ligjore.
‘’Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të marrë pagesën, pasi ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet e Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të Lehtësimit për Reformë dhe Rritje. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë ende nga fondet e RGF-së’’, thuhet në përgjigjen e BE-së për FrontOnline.
Në një përgjigje zyrtare, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka deklaruar se BE-ja shpreson që kjo çështje të zgjidhet së shpejti, ndërsa ka rikujtuar se Kosova ka përfituar së fundmi një ndihmë financiare prej 216 milionë eurosh, që përfshin programimin e fondeve të reja dhe vazhdimin e kontratave prioritare.



