Korporata Energjetike e Kosovës me pesë vota për është rizgjedhur nga bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji edhe për një mandat trevjeçar si Furnizues i Mundësisë së Fundit pas dështimit të dy proceseve tenderuese.
Kreu i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu tha se kjo u bë pasi nuk ka pasur asnjë të interesuar që të marrë pjesë në këtë proces ose të marrë këtë obligim me procedurat konkurruese siç është e përcaktuar me ligj.
Ymridin Misini nga Departamenti ligjor dhe I licencimit në ZRRE tha se Ligji për Energjinë Elektrike e përcakton se Furnizuesi i Mundësisë së Fundit ekziston si mekanizëm mbrojtës për konsumatorët me qëllim që furnizimi me energji elektrike të mos të ndërpritet në rastet kur konsumatori mbetet pa furnizues për shkaqet që nuk varen nga vullneti i tij.
“Ligji për Energjinë Elektrike përcakton qartë se në FMF kalojnë konsumatorët që mbesin pa furnizues si pasojë e falimentimit apo likuidimit të furnizuesit të tyre, revokimit të licencës apo dështimit të konsumatorit për të zgjedhur një furnizues të ri”, deklaroi Misini.
Ai tha se FMF aktivizohet vetëm në situata të jashtëzakonshme.
“Në aspektin taktik me vendimin e vitit 2022 KEK është caktuar si Furnizues i Mundësisë së Fundit nga korriku i vitit 2022 deri në korrik të vitit 2025. KEK ishte caktuar furnizues i përkohshëm për gjashtë muaj për tu siguruar vazhdimësia e furnizimit, deri me 30 janar 2026. Janë zhvilluar dy procedura tenderimi të pasuksesshme dhe se me 30 janar ka përfunduar mandat i Furnizuesit të Mundësisë së Fundit të përkohshëm, ZRRE ka konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore për kalimin në fazën e caktimit të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit me akt të veçantë për një periudhë trevjeçare”, tha ai.
Misini tutje tha propozimi për KEK-un erdhi pas vlerësimit të kapaciteteve teknike, organizative e financiare, si dhe deklarimit të gatishmërisë për marrjen e kësaj përgjegjësie.
“E njëjta ka përvojë për të ushtruar këtë përgjegjësi, posedon softuerin e nevojshëm për ushtrimin e këtij aktiviteti, ka personal profesional, ka gjendjen e shëndoshë financiare dhe do të jetë në gjendje të kryejë këtë funksion për periudhën nga 31 janar 2026 deri me 31 janar 2029. Pra FMF nuk është furnizim afatgjatë është një mekanizëm mbrojtës, i kufizuar në kohë për të garantuar që asnjë konsumator të mos mbetet pa energji”, tha ai.



