Një javë pasi mori votëbesimin në Kuvendin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, po kritikohet nga ish-kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa.
Sipas kryetarit të nderit të LDK-së, po të lexohej zëri i qytetarëve në zgjedhjet e fundit, Abdixhiku nuk do të duhej të qëndronte në krye të partisë.
Ai thotë se angazhimi i Abdixhikut në krye të LDK-së nuk ka sjellë rezultate, pasi në zgjedhjet e fundit mori vetëm 13 për qind të votave.
Mustafa në një intervistë për KosovaPress, thotë se debati aktual brenda partisë nuk duhet të fokusohet te figura personale e Lumir Abdixhikut, por te modeli i lidershipit që i nevojitet LDK-së për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të përmirësuar rezultatet zgjedhore.
Ish-lideri i LDK-së thekson se standardi i dorëheqjes për rezultate të dobëta ishte vendosur tashmë dhe se injorimi i këtij standardi dëmton besueshmërinë e partisë.
“Unë Abdixhikun e njoh mirë sepse e njoh prej kur ka qenë student. Abdixhiku është punëtor i mirë. Është punëtor i zellshëm, ka qenë student i zellshëm. Më kanë thënë që edhe në LDK në terren ka punuar. Nuk është që s’ka punuar. Mirëpo problemi është se sa puna jote bën punë. Sa aktiviteti yt shprehet pastaj në rezultatet e partisë.
Atë çështje është dashur vetë ta vlerësojë Abdixhiku dhe ta vlerësojnë organet e LDK-së. Për mua është nën çdo nivel që unë them tash se është dashur të shkojë, sepse në asnjë rast… Po në qoftë se kthehet aty ku ka qenë, aty ku e ka marrë, domethënë është, duhet të ulet edhe të analizojë pse, edhe të analizojë ai vetë të shohë se çfarë mund të bëjë”, thotë Mustafa.
Ai kujtoi se pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku LDK-ja shënoi rënie në rreth 13 për qind dhe Abdixhiku mori detyrën e kryetarit, kishte deklaruar se partia e kishte “lexuar drejt zërin e qytetarit” dhe jo zërin e Kuvendit.
Sipas tij, Kuvendi i LDK-së, duke pasur një rezultat të dobët zgjedhor, do të duhej të analizonte dhe vlerësonte më mirë për hapat tutje.
“Ai pati thënë që pas rezultateve të LDK-së në vitin 2021, ku ne ramë rreth 13%, LDK-ja e lexoi drejt zërin e qytetarit. Nuk tha e lexoi drejt zërin e Kuvendit, por zërin e qytetarit dhe pastaj unë edhe bashkëpunëtorët e mi e kuptuam se duhet të bëhen ndryshime… Unë s’mund të them këtu se është dashur të jap dorëheqje apo s’është dashur, mirëpo është dashur të mat fjalët para se të flasë, të flejë një natë, të pushojë pak, të konsultohet me bashkëpunëtorët…
Unë mendoj që edhe Kuvendi është dashur të merret me rezultatin, mos të merret me Abdixhikun. Domethënë, të merret me rezultatin e LDK-së, të vlerësojë se a është ai rezultat ai që i nevojitet dhe ai që është i duhur për Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës mund t’i shërbejë ndryshimeve në Kosovë”, shton ai.
Ai solli në vëmendje edhe shembullin e tij personal, duke rikujtuar se kishte dhënë dorëheqje menjëherë pas rezultatit zgjedhor nën 13 për qind, pa pritur vendime të organeve partiake.
“Unë për vete, në momentin që e kam pasur rezultatin, atëherë ka dalë më pak se 13 për qind, atë ditë, jo të nesërmen, por kam dhënë, jo s’kam ofruar, por kam dhënë dorëheqje. I kam njoftuar anëtarët e kryesisë se unë me këtë e përfundoj mandatin tim në LDK edhe e përfundoj mandatin tim në të gjitha organet e LDK-së, edhe në Kuvend…
Votëbesimi duhet të lidhet me disponimin në terren, me zërin e qytetarëve. Sepse votëbesimi nuk është çështje e marrëdhënieve kryetar i LDK-së, Kuvendi i LDK-së… Po tash, në qoftë se zëri i qytetarëve ka ardhur deri aty që LDK-në prapë ta kthejë në 13%, aty ku ka qenë, atëherë kjo ka merituar një qasje tjetër edhe të Kuvendit që Kuvendi të reflektojë, jo që ta shkarkojë apo mos ta shkarkojë zotin Abdixhiku, mirëpo të reflektojë se çfarë duhet bërë më vonë, si duhet të veprojë LDK-ja në mënyrë që të përmirësojë rezultatin…
Unë vetë kur kam dhënë dorëheqje, kam dhënë për shkak të rezultatit, jo sepse më ka dashur apo s’më ka dashur në organet e LDK-së, sepse po të shkoje në organet e LDK-së, do të dilte një qëndrim krejt tjetër”, deklaron ai.
Megjithatë, Mustafa mohon se ka punuar në prapaskena për rrëzimin e Abdixhikut nga lidershipi i LDK-së.
“Unë nuk i kam udhëhequr zgjedhjet. S’kam qenë në fushatë, s’kam qenë në asnjë forum të LDK-së. Nuk kam pasur asnjë motiv të involvohem në atë, sepse unë s’kam pasur motive. Unë tani jam në Akademinë e Shkencave, në asnjë mënyrë s’kam menduar se do të qëndroj në LDK. Unë s’kisha dhënë dorëheqje prej krejt pozitave të LDK-së. Mirëpo ka qenë një paketim i mirë i gënjeshtrave për t’u shitur si e vërtetë”, deklaron Mustafa.
Ai e vlerëson ambicien dhe shpalljen e kandidaturës për kryetar të LDK-së të Avdullah Hotit, megjithëse pas kalimit të votëbesimit të Abdixhikut nuk pati garë për kreun e LDK-së.
Sipas tij, debati për figurat e reja dhe të vjetra në LDK është i padobishëm. Teksa përmend emrat e Hotit, Hykmete Bajramit si kuadro jo të vjetra në LDK, Mustafa thotë se reforma në këtë parti nuk është penguar nga të njëjtit.
“Në LDK nuk kemi të vjetër dhe të ri. Abdullah Hoti nuk është i vjetër. Abdullah Hoti është kuadër i ri. Hykmete Bajrami nuk është e vjetër. Është kuadër, as e re, po është një kuadër që potencialisht mund t’i kontribuojë më së miri Kosovës sesa LDK-së. Kujtim Shala po ashtu është një shkrimtar i mrekullueshëm, është akademik, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe nuk i lejohet askujt aty në disa studio të thotë se edhe Kujtimi duhet të përjashtohet prej LDK-së.
Përmendet edhe Gazmend Muhaxheri, e kam dëgjuar. Në fund thonë se edhe Gazi duhet të shkojë. Tash, në qoftë se i marr këta njerëz edhe i trajtoj sepse i njoh, krejt i njoh mirë, kam punuar me ta që nga viti 2009, atëherë kush janë ata që kanë bërë opozitë kundër Vetëvendosjes?
Opozitë kundër Vetëvendosjes ka bërë Agim Veliu… Tani, në qoftë se kritikohen edhe këta të tjerët, kush ka bërë opozitë gjatë kësaj periudhe? Ka bërë Hykmetja. Hykmete Bajrami ka qenë zëri kryesor i opozitës së LDK-së kundër VV-së, edhe kundër pushtetit. Po flas njëherë për këto që po kritikohen dhe që thonë se këta po pengojnë reformat. S’mundet reforma të pengohet në qoftë se kritikohet pozita, në qoftë se jepen vërejtje të qëndrueshme; askush nuk mund t’i mohojë”, thotë Mustafa.
Krahas kësaj, një nga kritikat më thelbësore të Isa Mustafës ndaj udhëheqjes aktuale të LDK-së, lidhet me orientimin ideologjik të partisë.
Sipas tij, në LDK ka krizë të identitetit dhe rrëshqitje majtas dhe imitim të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai tha se LDK-ja në fushatën zgjedhore të 28 dhjetorit ka humbur identitetin e saj si parti e qendrës së djathtë duke u përpjekur të garojë me Vetëvendosjen në terrenin e popullizmit social.
“Unë dëgjoj që të gjithë dalin edhe thonë ‘Ne jemi Rugovista, ne jemi të djathtë’. Së pari duhet ta kemi të qartë se LDK nuk është parti e djathtë. LDK është parti e qendrës së djathtë. Parti e djathtë dallon mjaft shumë prej partisë së qendrës së djathtë…
Krahas këtyre, nuk i lejohet askujt që të del edhe të lë përshtypje të thotë ‘Unë jam Rugovist’, kur ta sheh kur del e flet për çështje, ai flet për ndihma sociale, flet që Albin Kurti do t’i rrisë pagat minimale në 500 euro, ne do t’i rrisim 700.
E po atëherë s’je ti, s’je as i djathtë, as i qendrës së djathtë, po ti politikat po i zhvillon të majta.
Kështu që në këtë aspekt…Fushata që është bërë nga LDK-ja është bërë si licitacion, sikur janë në licitim, me VV-në. Sepse VV-ja ka thënë diçka, e ka bërë një ofertë të veten sociale, LDK-ja u mundua ta bëjë pak mbi atë, PDK-ja edhe më, më lartë. Domethënë, krejt opozita e ka imituar Albin Kurtin”, përfundon Mustafa.



