Gazetari shqiptar në Athinë, Etmond Guri, ka folur rreth qëndrimit të Greqisë ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se një hap i tillë është shumë i vështirë dhe pothuajse i pamundur në rrethana aktuale.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore mbetet çështja e Qipros.
“Është padyshim Qipro. Fakti që është një shtet i ndarë mes pjesës europiane dhe asaj të pushtuar nga Turqia e vendos Greqinë në një pozitë shumë delikate. Njohja e Kosovës do të krijonte një sfidë të madhe politike, diplomatike dhe historike për Athinën”, tha Guri në emisionin “Balkan Talks” me gazetarin Franko Egro.
Ai përmendi gjithashtu edhe zhvillime të fundit ndërkombëtare, duke theksuar se shumë liderë botërorë janë rreshtuar hapur në krah të Shteteve të Bashkuara pas operacionit të fundit kundër Nicolas Maduros.
Guri kujtoi edhe deklaratat e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, të cilat kanë shkaktuar reagime të brendshme dhe kanë ndezur debat diplomatik. “Deklarata e tij u interpretua sikur Greqia po legjitimonte veprimet e Turqisë në Qipro në vitet ’70. Kjo krijoi shqetësim të madh, aq sa u deshën sqarime të menjëhershme nga figura të rëndësishme greke”, u shpreh ai.
Në kontekstin e marrëdhënieve me Kosovën, Guri theksoi se presioni ndërkombëtar dhe interesat ekonomike mund të krijojnë një format të ri bashkëpunimi, por jo domosdoshmërisht njohje të plotë.
“Njohja e Kosovës nga Greqia mbetet shumë e vështirë, nëse jo e pamundur. Çdo hap i tillë do të kishte ndikim të madh në gjithë balancat politike të Ballkanit”, përfundoi ai./Euronews Albania



