Qytetarë nga diaspora kanë filluar të vijnë pranë Dhomave të Specializuara, për të marrë pjesë në seancën e sotme ku do të fillojë deklaratën përmbyllëse ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ndërkaq rreth një orë më parë, aty ka mbërritur edhe avokati i Thaqit, Lluka Mishetiq.
Në ditën e tretë të fazës përfundimtare te procesit më të madh gjyqësor në Hagë, siç edhe ka njoftuar Mishetiq, ai do të fillojë shpalosjen e deklaratës përmbyllëse nga ora 9 e mëngjesit.
Zyra e prokurorit të specializuar ka përmbyllur dje fjalën përfundimtare, duke vijuar më pas mbrojtësi i viktimave.
ZPS-ja ka thënë se ka pranuar, siç pretendon, mbi pesë mijë prova materiale dhe ka intervistuar mbi 130 dëshmitarë.
Kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënimin me burgim nga 45 vjet për katërshen e UÇK-së, që në total i bie 180 vjet burgim.
Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, prokuroria ka pretenduar se ish-presidenti Hashim Thaçi “i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët”, duke përmendur kështu dëshmitë e James Rubinit e Wesley Clarkut.
Për kërkesën e Zyrës së prokurorit të specializuar për dënim me nga 45 vjet burgim kanë reaguar liderët e vendit, por edhe të rajonit, duke thënë se kjo nuk mbështetet në asnjë standard ndërkombëtar e po ashtu se Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftë të drejtë.



