Në kohën kur në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohen procese të rëndësishme gjyqësore, sipas një reagimi publik të Shaban Kilajt, po vërehet rritje e narrativave mediatike dhe publike që synojnë relativizimin e rolit të UÇK-së dhe figurave të akuzuara. Në reagim pretendohet se pas këtyre zhvillimeve qëndrojnë interesa politike dhe struktura që kanë ndikuar edhe në themelimin e vetë gjykatës. Autori ngre dilema mbi bazën juridike të Gjykatës Speciale, raportin e Dick Marty-t dhe rolin e aktorëve ndërkombëtarë në këtë proces.
Më poshtë gjeni tekstin e plotë të autorit Shaban Kilaj:
Të gjithë po e vërejmë se sa herë që në Hagë fillojnë procese të rëndësishme gjyqësore, shumë media dhe individë të sponsorizuar, po nga sponsorizuesit e themelimit të Gjykatës Speciale, po marrin një ofensivë kundër UÇK-së dhe po tentojnë ta relativizojnë rolin dhe madhështinë e atyre që janë duke u akuzuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Millosheviqi, edhe pse i vdekur, ka njerëz në Serbi e madje edhe në Kosovë që po ia përmbushin dëshirat e tij, për ta paraqitur kinse UÇK-në si terroriste dhe kinse themeluesit e saj si të përfshirë në vrasje të popullatës civile dhe në vrasje politike. Mbetjet e Millosheviqit një gjë duhet ta dinë: ata që janë duke u gjykuar në Hagë nuk kanë të bëjnë asgjë me akuzat dhe pretendimet mbi të cilat është themeluar Gjykata Speciale.
Fillimisht, Serbia dhe Rusia sponsorizuan një senator zviceran, Dick Marty, për të krijuar raporte të rreme se kinse UÇK kishte bërë krime të tmerrshme, duke pretenduar se kishte trafikuar dhe transplantuar organet e trupit të viktimave civile të luftës së fundit në Kosovë, e quajtur si “Dosja e Shtëpisë së Verdhë”. Ky raport i rremë, që ishte bazë e themelimit të Gjykatës Speciale, doli të ishte absolutisht fiktiv dhe pretendimet e këtij raporti as që ishin temë apo materie me të cilat duhej të merrej Gjykata Speciale.
Në asnjë seancë të vetme gjyqësore nuk u përmend “Shtëpia e Verdhë” dhe transplantimi apo trafikimi i organeve.
Baza mbi të cilën është ngritur kjo gjykatë, domethënë, nuk u trajtua dhe nuk ekziston fare. Tani shtrohet pyetja: a duhej që kjo gjykatë të shpërbëhej dhe, në mungesë të këtyre dëshmive, t’ia vinte drynin dhe t’u kërkonte falje popullit të Kosovës dhe vetë të akuzuarve? Një gjë këtu është e sigurt: këtu gjithçka është politike dhe asgjë nuk ka të bëjë me drejtësinë.
Për një kohë, të paktën një vit, unë personalisht, së bashku me disa miq ndërkombëtarë, jemi munduar që këto raporte të rreme kundër UÇK-së të hidhen poshtë dhe, në bazë të këtyre trillimeve, të shpërbehet Gjykata Speciale.
Ndoshta për herë të parë po e them se në këtë përpjekje për të zbardhur të vërtetën kanë qenë edhe disa zyrtarë të inteligjencës së NATO-s, gazetarë hulumtues dhe studiues të drejtësisë. Në mesin e këtyre personave që janë marrë me grumbullimin e fakteve për të arsyetuar zhbërjen e Gjykatës Speciale kanë qenë edhe Michael Rawlinson, shef i inteligjencës së NATO-s në kuadër të KFOR-it e më pas shef i inteligjencës së EULEX-it për të hetuar krimin dhe korrupsionin brenda EULEX-it, si dhe gazetari dhe hulumtuesi me përvojë ndërkombëtare, Milaim Zeka.
Madje, dosjet që i kishim në dorë dhe emrat e personave që kanë mundur të jenë subjekt i ndjekjes penale nga ana e Gjykatës Speciale, në shikim të parë dukeshin sikur gjithçka ishte e përgatitur me një skenar dhe regji të sofistikuar.
Ishim në takim në Stockholm, bashkë me Michael Rawlinsonin, Milaim Zekën dhe dy miq të tjerë ndërkombëtarë, kur një mik nga ndërkombëtarët, në prezencën tonë, në mënyrë ironike, dha një listë të personave që mund të ishin në skenarin e arrestimit nga Gjykata Speciale. Të gjithë, pa përjashtim, ishim të bindur se këtu ka gjithçka, por drejtësi nuk ka, dhe se personat e apostrofuar në ato lista ishin sinonim i luftës, lirisë dhe sinonim i shtetit të Kosovës. Të gjithë ishim njëzëri të bindur që kjo listë e formuluar nga Gjykata Speciale ishte përgatitur ekskluzivisht për të përmbushur apetitet serbe dhe ruse dhe se nuk kishte të bënte asgjë me drejtësinë ndërkombëtare, aq më pak me ato krime të pretenduara.
Gjatë kësaj kohe, Milaim Zeka kërkoi që, në cilësinë e gazetarit hulumtues, të hetonte këto pretendime dhe personat që janë promotorë të këtij mekanizmi të Gjykatës Speciale. Në fakt, Milaim Zeka mori përsipër që kjo çështje dhe personat që janë mbrapa saj të jenë subjekt i investigimit të tij dhe, në bazë të këtij investigimi, ta dërgonte çështjen në strukturat më të larta në SHBA dhe të ngrinte zërin kundër këtyre padrejtësive që po u bëheshin personave që kishin bërë historinë tonë më të re të lavdishme dhe se UÇK ishte e pastër dhe nuk ishte e përfshirë në asnjë nga pretendimet e raportit të Dick Marty-t dhe të Gjykatës Speciale.
Me të marrë këtë angazhim, Milaim Zeka, me profesionalizmin e tij, arriti të deshifrojë madje edhe të ketë kontakte direkte me persona që ishin të lidhur me direktivat për themelimin e Gjykatës Speciale.
Duke shfrytëzuar lidhjet dhe profesionin e gazetarit hulumtues që kishte, Milaim Zeka arriti të depërtojë thellë deri te bërthama e themelimit të Gjykatës Speciale, ku, sipas tij, përfshiheshin figura kontroverse si Faik Imeri me disa bashkëpunëtorë të tij, që i kishte manipuluar se kinse punonte për CIA-n amerikane, e deri te prokurori Jack Smith.
I pajisur me të gjitha të gjeturat dhe faktet, Milaim Zeka mori statusin e dëshmitarit në Kongresin Amerikan dhe në një të ardhme të afërt dëshmoi në këtë Kongres kundër ish-prokurorit Jack Smith dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Rezultatet e kësaj dëshmie dhe të gjeturat e Milaim Zekës, dhe jo vetëm, sipas bindjes sime, do ta tronditin Gjykatën Speciale, por edhe të gjithë ata që e kanë ndihmuar që njerëzit më të mirë të vendit të përfundojnë të paraburgosur për më shumë se pesë vite.
Tashmë, kur jemi afër finales së madhe, të gjithë sponsorizuesit e kësaj gjykate dhe bashkëpunëtorët e tyre sikur kanë frikë në këtë kohë vendimtare për fatin e personave të arrestuar nga Gjykata Speciale dhe kanë vënë në lëvizje tërë makinerinë e propagandës kundër UÇK-së dhe personave që nuk u ndalën për ta zbardhur të vërtetën, duke përfshirë edhe propagandën kundër njeriut që deshifroi Faik Imerin, Jack Smith dhe shumë bashkëpunëtorë të tyre.
Milaim Zeka bashk me njeriun më të afërt të Presidentit Trump, Patrick Byrne, ish-shefi i DEA-s, John Monahan, një grup avokatësh dhe pjesëtarë të CIA-s amerikane, kanë përpiluar një raport prej 119 faqesh. Vetëm një pjesë e këtij raporti është publikuar; pjesa tjetër do të bëhet publike në kohën e ngritjes eventuale të një aktakuze kundër ish-kryeprokurorit Jack Smith. Milam Zeka kishte qendruar rreth dy javë në Washington dhe gjatë kësaj kohe vetëm që janë filluar dridhjet e themelve të gjykatës speciale.
Në vend që shteti të merrte në mbrojtje këta persona sa herë që atakohen nga ata që duan zhbërjen e shtetit të Kosovës përmes Gjykatës Speciale, tashmë sikur këta armiq të vendit po amnistohen me heshtje. Lënia e hapësirës propagandistike me qëllim degradimin e themeluesve të UÇK-së dhe personave që dhanë shumë për këtë vend është një paradoks në vete.
Shpresoj që organet tona të mos luajnë rolin e spektatorit, por të veprojnë tani, sa nuk është bërë dëmi i madh.
Sh K



