Avokati Rodney Dixon ka thënë se Kadri Veseli është tërësisht i pafajshëm dhe këtë e vërtetojnë shumë pika. Ai tha se Veseli duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm.
“Ai meriton gjykim të drejtë dhe të duhur. Ai duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Nëse ndodh ndryshe, do të ishte një padrejtësi e madhe”, tha ai.
Ai ka deklaruar se në këtë proces gjyqësor do të arrihet në përfundim që Veseli nuk ka qenë i përfshirë në asnjë prej krimeve për të cilat Prokruroria pretendon se ka kryer, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Do vini në përfundimin që klienti im nuk është i përfshirë në asnjë prej krimeve të cilat pretendon Prokuroria që ai i ka kryer”, tha ai.
Madje, avokati përdori një frazë për të përshkruar atë se çfarë po ngjan se po bën Prokuroria.
“Ne parashtrojmë që ZPS-ja duket se po na tërheq zvarrë me vete me kaosin e mbretit të mizave. Sipas ZPS-së, çdo lloj asocimi ka kuptim për sa kohë i shërben asaj. Sipas nesh, si rezultat ZPS-ja nuk mbështetë dhe nuk konfirmon asnjë prej akuzave të tij dhe nga ana tjetër ka shumë pika të cilat mund të vërtetojnë që klienti im është tërësisht i pafajshëm”, tha ai.
Dixon shtoi se parashtrojnë që qëndrimi i Prokurorisë duhet të hudhet poshtë. Tha se përgjegjësia eprore nuk është e bazuar fare dhe se nuk qëndron.
“Siç kemi thënë në dosjen tonë, përgjegjësia eprore nuk qëndron fare, nuk është e bazuar. Kontrolli efektiv është i vetmi prag përmes të cilës mund të ndodhë kjo dhe pa NPK dhe pa strukturë komanduse për ZKZ, kjo portë mbetet tërësisht për ZPS-në. Pra, ZPS-ja nuk mund ta përdorë këtë pistë dot.
Avokati: Kadri Veseli s’ka lidhje me komunikatat
(Përditësuar, ora 13:21)- Gjatë parashtrimeve të tij në deklaratën përmbyllëse, mbrojtja e Kadri Veselit, e përfaqësuar nga Rodney Dixon ka thënë se klienti i tij nuk ka pasur lidhje me komunikatat e UÇK-së.
Ai thotë se Prokuroria pretendon se Veseli ka ndihmuar shpërndarjen e deklaratave të UÇK-së, që ka formuar shtyllën kurrizore të politikave të bashkëpunëtorëve- rrjedhimisht për komunikatat dhe deklaratat, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas avokatit Dixon, Prokuroria pretendon se Veseli ka dhënë të gjithë informacionin që është pasqyruar në këto komunikata
“E gjithë gjëja sipas ZPS-së vinte prej tij, ndërkohë që nuk ka asnjë pikë prove që mbështetë këtë pretendim të ZPS-së”, tha ai.
Ai tha gjithashtu se Prokuroria e ka parë të nevojshme që të krijojë lidhje në mes Veselit dhe komunikatave si të vetmen mënyrë, sipas tyre, për ta lidhë atë me krimet.
“Është e nevojshme që të krijohet kjo lidhje në mes Veselit dhe komunikatave në njëfarë mënyre sepse kjo është e vetmja mënyrë që lidhet ai me krimet. Megjithatë, kjo është një mënyrë dëshpëruese e ZPS-së për ta fajësuar klientin tim dhe nuk jep asnjë provë që e mbështetë dhe e konfirmon këtë. Gjuha që ka përdorur dhe formulimi që ka përdorur ZPS-ja është e vagullt, është e përgjithshme. ZPS-ja thotë se; Kadri Veseli ka marrë, ka vlerësuar dhe ka transmetuar, ka dhënë informacion inteligjent që ka formuar bazën e komunikatave”, tha ai.
Dixon shtoi se nuk është e qartë se për çfarë informacioni inteligjent bëhet fjalë dhe se kujt ia ka dhënë këtë informacion.
“ZPS-ja nuk sqaron për shembull nëse Veseli i ka hartuar, shpërndarë, ose dhënë për palë të tjera këto komunikata. Kjo është e rëndësishme sepse në të kundërtën janë fjalë bosh. Në qoftë se ti ngre një pretendim të tillë, është e rëndësishme që të japësh fakte dhe të konfrmosh pretendime të tilla”, tha ai.
Dixon: SHIK-u u krijua pas lufte, ZPS s’ka prova që Veseli ishte shef i kësaj strukture më 1999
(Përditësuar, ora 13:07)- Në fjalën përfundimtare të enjten në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, avokat i ish-parlamentarit Kadri Veseli, Rodney Dixon, deklaroi se Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) është krijuar pas lufte.
“Vetëm pas lufte siç e kam thënë disa herë dhe siç e keni parë nga provat se u krijua struktura e Shërbimit Informativ. Vetëm në këtë periudhë Veseli ishte në gjendje dhe filloi të drejtonte këtë strukturë”, tha ai.
Ai shtoi se provat tregojnë që ishe e pamundur që kjo strukturë të krijohej gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Provat tregojnë se gjatë luftës ishte e pamundur që ta krijoje këtë strukturë”, tha avokati.
Pas kësaj, Dixon deklaroi se Prokuroria nuk ka provuar që Veseli ka qenë shef i SHIK-ut gjatë 1999-ës dhe se merrej me çështjet e transferimeve nga zona në zonë.
“ZPS-ja nuk ka provuar që zoti Veseli ka qenë shef i SHIK-ut gjatë vitit 1999 dhe të merrej me çështje të transferimeve nga një zonë në zonën tjetër në UÇK në qoftë se ka qenë në funksionim në atë kohë… Nuk ka asnjë provë që ta mbështesë këtë pretendim”, tha ai.
Gjatë deklaratës përmbyllëse, Dixon tha se Prokuroria gjithnjë e më shumë po e arrin fundit në përpjekje për të treguar se Veseli ka kontribuar në të ashtuquajturën Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.
“ZPS-ja është duke rënë gjithnjë e më shumë dhe po arrin fundin kur pikërisht përpiqen të tregojnë se si Veseli ka kontribuar për NPK-në”, tha ai.
Dixon theksoi se në këtë gjykatë kanë ardhur persona që kanë dëshmuar rrejshëm nën betim. Gjithashtu, përmendi edhe faktin se si një tani prokuror ishte roje burgu tek të akuzuarit.
Dixon: Gjykata duhet të ketë kujdes nga dëshmitë që ua dha Serbia
(Përditësuar, ora 11:10)- Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon tha se Gjykata Speciale duhet të ketë kujdes nga dëshmitë e dhëna nga Serbia.
Përveç kësaj, ai tha se mbështetja e autoriteteve ndaj kësaj gjykate duhet të merret parasysh, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Autoritetet serbe dhe mbështetja e tyre për këtë gjykatë po ashtu duhet të merren parasysh në veçanti kur flitet për qëllime forenzike për vlerësimin e provave që ata i kanë dhënë gjykatës”, tha Dixon.
Avokati Dixon tha se nuk është e ndershme në aspektin intelektual që të argumentosh që mund të anashkalosh politikat serbe.
“Sikurse e kam theksuar edhe më herët, në aspektin intelektual nuk është e ndershme që të argumentosh që mund të anashkalosh politikat serbe dhe dominim serb, ndërkohë që vlerësohet nëse UÇK-ja ka pasur në thelb të njëjtën politikë dhe në të njëjtën kohë të thuash se ka shkuar në drejtim tjetër”, tha ai.
Avokati shtoi se Serbia ka kryer aparteid në Kosovë ngjashëm si në Afrikën e Jugut. Por, dallimi sipas Dixon është që Serbia u mundua të gjykojë ata që kishin vuajtur nën sistemin e tyre, ndërsa në Afrikën e Jugut, ekzekutorët kishin pranuar fajin.
Përpara kësaj, Dixon tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë janë të rëndësishme për Kosovën në aspekt të sundimit të ligjit.
“Rëndësia e DhSK-së për Kosovën është absolutisht e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe për pajtime të ardhshme, edhe për një vend të tillë të botës që nuk është në qendër të vëmendjes së botës apo që nuk tërheq vëmendje kryesore në titujt e gazetave ose të lajmeve kryesore, përsëri është e rëndësishme që të merret parasysh e gjithë mbështetja e vendit për këtë gjykatë”, tha ai.
Dixon: S’mund të injoroni se çfarë ka bërë Serbia, sikur kanë qenë dele që kalonin gjatë natës
(Përditësuar, ora 11:02)- Në deklaratën e tij përmbyllëse, avokati Rodney Dixon i cili përfaqëson Kadri Veselin, deklaroi se nuk mund të injorohet ajo se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë dhe se ata nuk kanë qenë thjesht “dele që kalonin gjatë natës”.
“Ju nuk mund të injoroni atë e çfarë ka bërë Serbia sikur Serbia të ishin thjesht dele që kalonin gjatë natës”, tha Dixon, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai tha se në Kosovë ka pasur aparteid ngjashëm qysh si ndodhur në Afrikën e Jugut. Por, për dallim të fundit kishin kërkuar falje ndaj viktimave, ndërsa Serbia ka akuzuar persona që kanë vuajtur nën sistemin e tyre.



