2026/02/12
Banner Top
Kuvendi i Shqipërisë miraton deklaratën për pafajësinë e drejtuesve të UÇK-së

Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë të enjten në të cilën shprehet mbështetja për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpalljen e tyre të pafajshëm. Deklarata u propozua nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe u hartua nga dy deputetët, Igli Hasani nga PS dhe Tritan Shehu nga PD.

Deklarata e plotë

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në ushtrimin e kompetencave të veta kushtetuese dhe në përmbushje të rolit të vet si përfaqësues i vullnetit të popullit shqiptar, shpreh shqetësimin e thellë për kërkesën përfundimtare të Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Kuvendi i Shqipërisë, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, për liri, dinjitet dhe vetëvendosje të popullit të Kosovës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb të Millosheviçit, i cili kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.

Për këtë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë deklaron:

1. Mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte luftë e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut.

2. Kërkesën drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm, që respekton dhe nuk cënon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mos lejuar që instrumentet e drejtësisë të shndërrohen në mjete për rishkrimin e historisë apo për barazimin e viktimës me agresorin.

3. Kujtimin ndaj bashkësisë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik, krime sistematike kundër njerëzimit dhe akte genocidiale ndaj popullatës civile të Kosovës, dhe se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit të Millosheviçit.

4. Vlerësimin e lartë për dëshmitarët ndërkombëtarë të mbrojtjes, si Ëesley Clark e James Rubin, të cilët konfirmuan të drejtën e popullit të Kosovës dhe udhëheqësve të tyre për liri.

5. Solidaritetin e plotë me popullin e Kosovës dhe me familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke ritheksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtjen e të vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri.

Banner Content