Deputeti Daut Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj Prokurorisë së Dhomave të Specializuara, duke e akuzuar atë për drejtësi selektive, narrativa të shtrembëruara dhe procese që, sipas tij, kanë dëmtuar ndjenjën kolektive të drejtësisë në Kosovë.
Në reagimin e tij, Haradinaj tha se Specialja nuk po funksionon sipas standardeve ndërkombëtare apo atyre të ligjeve të Kosovës, duke shtuar se proceset gjyqësore kanë cenuar dinjitetin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Ai theksoi se do të përkrahë rezolutën për UÇK-në, të cilën e cilësoi si të vonuar, por të domosdoshme.
Haradinaj theksoi se UÇK-ja ka qenë ushtri çlirimtare dhe se figura si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Sali Mustafa janë, sipas tij, pjesë e historisë së rezistencës për liri. Ai gjithashtu rikujtoi krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë dhe kërkoi që drejtësia ndërkombëtare të jetë e paanshme dhe e bazuar në të vërtetën.
Në fund, Haradinaj bëri thirrje për unitet, duke theksuar se çdo vendim tjetër përveç pafajësisë së të akuzuarve nuk do të ishte i pranueshëm.
Ja shkrimi i tij i plotë:
Drejtësia selektive, narrativat e shtrembëruara, të pavërteta dhe dëshmitë bizare e kanë përkufizuar Prokurorinë e Dhomave të Specializuara. Duke u thirrur në një drejtësi kinse ndërkombëtare, mbi kurrizin e popullit të Kosovës dhe në emër të Kuvendit të Kosovës, i cili me naivitet të plotë politik e ka themeluar, sot po bëhet padrejtësia më e madhe. Mjafton t’i shohësh kërkesat për dënime për të kuptuar se çfarë kanceri i drejtësisë është kjo prokurori. Një proces që nuk ka lënduar vetëm individë, por edhe ndjenjën kolektive të drejtësisë së një populli të tërë.
Deri më sot nuk ka pasur as edhe një indikacion se aty po punohet me standarde ndërkombëtare, as me standarde të ligjeve të Kosovës. Aty është bërë krim ndaj çdo lloj ligji dhe, mbi të gjitha, krim mbi dinjitetin dhe integritetin e atyre burrave që, pavarësisht gjithçkaje, lanë gjithçka pas dhe shkuan të mbrojnë të vërtetën. Sot ata mbahen peng, ndërsa tash e 5 vite askush nuk e ka ngritur zërin sa duhet dhe nuk ka kërkuar llogaridhënie me forcën që e kërkon drejtësia.
Normalisht që do ta përkrahim këtë rezolutë, të vonuar jo vetëm në kohë, por edhe në histori. Është e qartë si dita se UÇK-ja ka qenë ushtri që ka mbrojtur pragun, familjet dhe dinjitetin e këtij vendi përballë shtetit gjenocidal të Serbisë. Po ashtu, është e qartë se të vërtetën tonë historike duhet ta mbrojmë me ligj, me rezolutë dhe me çdo mjet institucional.
Drejtësia ndërkombëtare nuk ka nevojë për kurbanë të UÇK-së; ajo ka nevojë vetëm ta nxjerrë në dritë të vërtetën, të plotë dhe të paanshme, dhe kjo qoftë hera e fundit që historia jonë vihet në bankën e të akuzuarve.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Sali Mustafa e të tjerë janë çlirimtarë, si çdo çlirimtar tjetër në botë, që kanë mbrojtur pragun e shtëpisë në momentet më të vështira. Ata janë pjesë e historisë së rezistencës dhe e sakrificës për liri, emra të skalitur në kujtesën kolektive të një populli që nuk ka pranuar të jetojë nën dhunë e sundim.
Nuk mund të mos i përmendim krimet serbe që gjakosën popullin tonë në fund të shekullit të kaluar:
Mbi 12 mijë qytetarë të vrarë e të masakruar.
Mbi 1600 persona ende të pagjetur.
Mbi 1500 fëmijë nën moshën 18-vjeçare, të vrarë.
Mbi 20 mijë gra të dhunuara.
Mbi 1 milion qytetarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre.
Mbi 500 mijë shtëpi të djegura, si dhe shkolla, spitale etj.
Rreth 3 mijë dëshmorë dhe mbi 3 mijë të plagosur.
Për 55 vite pas Luftës së Dytë Botërore, kemi qindra shekuj burgim për patriotët shqiptarë dhe qindra të vrarë. Kemi mbi 2 mijë robër lufte që u torturuan barbarisht.
Në 27 vitet e lirisë sonë, kemi pasur dhjetëra procese gjyqësore në Hagë dhe në Kosovë kundër UÇK-së, ndërsa nga pala tjetër ka pasur heshtje absolute.
E sot, në emër të drejtësisë, akuzohet viktima. Andaj, të bashkohemi me një zë dhe të themi hapur se, përveç pafajësisë, asnjë vendim tjetër nuk është i pranueshëm.



